Dënohet me katër vite burg grabitësi në pompën “Veda Com”

Gjykata Themelore në Gjilan e ka dënuar me katër vite burgim të akuzuarin A. I., i para një viti kishte sulmuar pompën e benzinës “Veda Com”, duke ia grabitur 500 euro.

“I akuzuari me datën 29.10.2018, rreth orës 02:00, në pompën e benzinës “Veda Com” në fshatin Pasjan, Komuna e Parteshit, në bashkëveprim me dy të pandehur të tjerë me dashje dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror për vete,  të armatosur dhe të maskuar nën kërcënim e armëve kanë kryer grabitjen, fillimisht kanë sulmuar fizikisht punëtorët e kësaj pompe dhe më pas marrin 500 euro, duke ikur më pas me veturë nga vendi i ngjarjes në drejtim të panjohur”, thuhet në komunikatën për media të kësaj Gjykate.

Më tej thuhet se me këto veprime i akuzuari A. I., “në bashkëveprim ka kryer veprën penale grabitje”, vepër e sanksionuara me Kodin Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

Gjykata ka vazhduar masën e paraburgimit ndaj të pandehurit deri në plotfuqishmërinë e aktgjykimit, ndërkohë ka veçuar procedurën penale ndaj dy të pandehurve K. R. dhe B. M.

Palët kanë të drejtën e ankesës ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit.​/MediaFokus/