Dështon miratimi në procedim të përshpejtuar i Ligjit për Zgjedhje

Propozimi i Lëvizjes Vetëvendosje për ndryshimin e Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, i aprovuar në Komisionin Legjislativ, nuk ka arritur të kalojë në Kuvendin e Kosovës.

Me 65 vota për dhe 39 vota kundër, propozimi nuk arriti të kalojë fillimisht në Kuvend.

“E konfirmojmë që për propozimin kanë votuar 65 deputetë, kundër kanë qenë 39. Sipas Administratës së Kuvendit 2/3 e kësaj kanë qenë 69 deputetë kështu që konstatoj se nuk ka kaluar ky propozim”, deklaroi Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca.

“Sipas procedurave parashihet që ky projektligj të marrë rrugën e tij të shqyrtimit të zakonshëm në Kuvendin e Republikës së Kosovës”, theksoi Konjufca.

Lëvizja Vetëvendosje, me këtë, ka refuzuar kërkesën e kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), për tërheqjen e iniciativës së ndryshimit të Ligjit për Zgjedhje, e cila shënon mos-prezencën e kësaj të fundit në votimin e presidentit.

Kreu i LDK’së, Lumir Abdixhiku, në konferencë për media bëri thirrje që VV’ja të tërhiqet nga kjo iniciativë.