Dhjetëra policë të Kosovës fillojnë patrullimin në Mitrovicën e Veriut

Dhjetëra policë të Kosovës kanë zbarkuar në “Lagjen e Boshnjakëve” në Mitrovicën e Veriut.

Ata kanë filluar patrullimin në rrugët e qytetit.

Policia e Kosovës sonte njoftoi se do të fillojë rritjen e pranisë së saj në veri të vendit.

Veprimet policore vijnë si rezultat i tensioneve të shtuara në veri të Kosovës në tri ditët e fundit, ku pati edhe shpërthime të shumta në lokacione të ndryshme.

Policia thotë prioritet i tyre është ofrimi i sigurisë për të gjithë qytetarët, andaj duke vlerësuar situatën dhe rrjedhat aktuale në komunat veriore, “ditëve në vijim do të rris prezencën në veri me qëllim të arritjes së objektivave të policisë”.

Sipas Policisë, ruajtja e rendit publik, garantimi i sigurisë, mbrojtja e jetës dhe pronës për të gjithë qytetarët pa dallim, janë ndër objektivat kryesore të Policisë së Kosovës.

“Policia e Kosovës në vazhdimësi përcjellë dhe analizon zhvillimet në vend, duke bërë vlerësime profesionale në bazë të të cilave ndërmerr masa të nevojshme, të arsyeshme dhe të ligjshme për zbatimin e ligjit dhe vendimeve të autoriteteve shtetërore të Kosovës”, njoftoi policia, transmeton Telegrafi.

Një zyrë e KKZ-së në Mitrovicën e Veriut është jashtë funksionit për shkak se është demoluar. Me granatë dore e “shock bombe” dyshohet se është sulmuar kjo zyrë ndërsa Policia, KFOR-i, dhe EULEX në orët e vona të së martës bënë edhe rrethimin e vendit të ngjarjes ku u gjet granata e dorës e cila më pas është shpërthyer në mënyrë të kontrolluar.

KALLXO.com sjell pamjet nga shtimi i pranisë së Policisë në veri.