Dita e 10-të e protestës në Tiranë, aktivistët dhe qytetarët mblidhen para Kryeministrisë

Edhe këtë të martë, në orën 18:00, përfaqësues të shoqërisë civile, aktivistë dhe qytetarë u mblodhën në sheshin “Skënderbej”, në ditën e 10-të të protestës për çështjen e zonave të mbrojtura.

Nga aty, ata vijuan të kërkonin dorëheqjen e qeverisë me thirrje të tilla si “Shqipëria është e shqiptarëve” dhe “Rama në burg, Berisha në burg”, raporton Euronews.al.

Nga aty, protestuesit marshuan në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” ndërsa më pas janë ndalur përpara Kryeministrisë, ku po vijojnë tubimin e tyre.

Paralelisht, protesta të ngjashme zhvillohen edhe në disa qytete të tjera të vendit, përfshirë Korçën, Vlorën etj.

Protesta që nisi fillimisht si reagim kundër projektit turistik në zonën e Pishë Poros dhe Sazanit, ka hyrë sot në ditën e dhjetë të saj. Lëvizja u zhvillua pas kundërshtimeve ndaj investimit të planifikuar në zonë të mbrojtur dhe më pas u zgjerua në një mobilizim më të gjerë qytetar.

Gjatë ditëve të protestës, qytetarët kanë artikuluar pesë kërkesa kryesore: largimin e qeverisë, shfuqizimin e statusit dhe kuadrit ligjor për investitorët strategjikë, anulimin e Paketës së Maleve, anulimin e ndryshimeve në Ligjin për Zonat e Mbrojtura dhe anulimin e ndryshimeve në Ligjin për Trashëgiminë Kulturore. Në tubimet e zhvilluara në Tiranë dhe qytete të tjera janë dëgjuar gjithashtu thirrje kundër të gjithë klasës politike.

Organizatorët kanë njoftuar vijimin e protestave edhe në ditët në vijim, duke deklaruar se kërkesat e tyre mbeten të pandryshuara.