Tentoi ta th”erë me thikë deri brenda Stacionit Policor në Gjilan, policët neutralizojnë sulmuesin

Një incident i rëndë ka ndodhur paraditen e së martës në Gjilan, ku një person dyshohet se tentoi ta godasë me thikë një tjetër, madje duke e ndjekur deri në ambientet e Stacionit Policor.

Sipas informacioneve, rreth orës 10:05, nje person (identiteti i njohur per refaksinë e Mediafokus) kishte hyrë me nxitim në Stacionin Policor në rrugën “Mulla Idrizi” në Gjilan, duke kërkuar ndihmë nga zyrtarët policorë dhe duke njoftuar se një person po e ndiqte me qëllim që ta godiste me thikë.

Vetëm pak çaste më vonë, i dyshuari ka hyrë me vrap pas tij në ambientet e stacionit, duke tentuar të vazhdojë sulmin. Falë reagimit të shpejtë të policëve që ndodheshin në korridor, është arritur që ai të vihet nën kontroll dhe të neutralizohet, ndërkohë që në dorën e djathtë mbante ende thikën me të cilën dyshohet se kishte kryer sulmin.

Nga ky incident, viktima ka pësuar lëndime trupore në pjesën e këmbës së majtë, konkretisht në pjesën e tulit, për çka ka marrë trajtimin e nevojshëm mjekësor.

Lidhur me rastin është njoftuar prokurori kujdestar i Departamentit të Krimeve të Përgjithshme, i cili ka urdhëruar ndalimin e të dyshuarit për 48 orë.

Rasti është iniciuar si “Lëndim i lehtë trupor”, ndërsa dosja do t’i procedohet Njësisë së Hetimeve për veprime të mëtejshme.

Ngjarja ka shkaktuar shqetësim të veçantë, pasi tentimi për të vazhduar sulmin edhe brenda ambienteve të Policisë dëshmon shkallën e lartë të agresivitetit dhe rrezikshmërisë së situatës. Hetimet për zbardhjen e plotë të motivit dhe rrethanave të incidentit janë në vazhdim.