Dorëzohen para votuesve, por luftojnë për pushtet

“Për një komb është shumë me rëndësi ta gjejë momentin e ndryshimit. Por duket që këtë ndryshim, kombet kanë nevojë ta bëjnë duke kaluar nëpër situata krizash”. Ruchir Sharma (ekonomist amerikan)

Nga: Nijazi Idrizi

Në Kosovë ka filluar fushata për legjislaturën e tetë. Në konkurrencë janë të njëjtit aktor.

E veçanta e këtyre zgjedhjeve është se asnjë parti nuk garon për fitore, sepse atë ia kanë dorëzuar Lëvizjes Vetëvendosje, por gara bëhet për ta penguar atë ta arrijë shumicën e Kuvendit, me qëllim të formimit të një koalicioni tjetër të humbësve, i cili do t’ua zgjasë agonin. Për ta arritur këtë “fitore”, ato i kanë aktivizuar të gjitha resurset shtetërore, shumicën e mediave, gjykatat, analistët e politologët. Kësaj radhe edhe ndërhyrja e shtetit serb do të jetë e hapur dhe përtej Listës Serbe.

Partitë tona duket që nuk janë të vetëdijshme se lakmia për një pushtet jetëshkurtër, disa nga to do ti shuajë përgjithmonë, e të tjerat do ti bëjë xhuxhe.

Edhe në këtë garë partitë kanë hyrë me nga dy moto: atë të brendshmen të cilën ende nuk e kanë ndryshuar, e cila e paraqet substratin, përmbajtjen, karakterin dhe sjelljen e tyre; ndërsa tjetra, ajo e fushatës, e vila e paraqet perceptimin, disponimin, frymën dhe rrallë i përshtatet të parës.

Lëvizja Vetëvendosje (Vv), ka zbatuar “moton”: “Ne i shohim punët tona dhe nuk na bëhet vonë për asgjë”! Për shkak të kësaj motoje, ajo në të gjitha këto vite ka ecur me kokën pas, duke i parë dështimet e të tjerëve, nga të cilat ka mësuar si të mos rrëzohet, por që e ka shtyrë ndryshimin. Si opozitë me përvojë e ka zënë hapësirën plotësisht dhe nuk ka lënë vend për promovimin e ideve tjera.

Debatin për të ardhmen e ka mbyllë brenda partisë, ndërsa në opinion ka nxjerr konstatime dhe pak ide apo plane konkrete që zgjidhin probleme. Me idenë e Bashkimit Kombëtar (para integrimit Euro-Atlantik), e pakoordinuar me Shqipërinë dhe SHBA-në, i ka strukur idetë integruese globale, duke e rrezikuar pozicionin jetik të vendit.

Qeveria jetëshkurtër Kurti, edhepse pati disa vendime të paqarta, me menaxhimin e buxhetit dhe krizave, e posaqerisht në luftën kundër krimit dhe korrupsionit, ka rritur shpresat e popullit për përmbysjen e kleptokracisë. Por, debati i saj në Kuvend (pas shkuarjes në qeveri të disa përfaqësuesve), ka qenë i dobët dhe i ka lënë të vakëta shpresat për ndryshim të shpejtë.

Kjo parti në fushata e tregon fuqinë e fshehur të saj e cila vërtet është madhështore dhe mbresëlënëse. Në këto zgjedhje ka hyrë me moton: “Krejt dhe drejt”. Nga motoja shihet se ajo nuk do në qeveri partner që janë hisedarë në kapjen dhe rënien e shtetit.

VV në këto zgjedhje hynë plotësisht e relaksuar, sepse i ka në dorë edhe arrën edhe gurin. Sipas sondazheve, do ti ketë së paku 41 mandate, me të cilat do ti përballoj shantazhet që mundë ti bëhen diasporës dhe kryeministrit.

Në një rast të tillë, ajo me bojkotimin e zgjedhjes së Presidentit, do ti provokonte zgjedhjet e jashtëzakonshme, duke e shtyjë qeverisjen edhe për disa muaj.

Deri atëherë do të hiqet pandemia dhe pa asnjë dyshim do ta korrë një fitore spektakël.

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), ka zbatuar “moton” : “Ne duhet të flasim fjalë të mëdha e të zgjidhim probleme të vogla”! Edhepse është partia më e vjetër në Kosovë, për shkak të rritjes nën kërbaç, vendimmarrjen e ka të paplanifikuar, stihike dhe situacionale.

Ajo nuk ka dashur të përballet me vendime të mëdha të cilat e traumatizonin shumë, edhepse si organizim ka qenë masiv për shumë vite dhe ka pas afirmim e mbështetje ndërkombëtare.

Pos disa vendimeve deklarative të viteve ’90 me rëndësi për demokracinë, nuk ka lënë ndonjë akt tjetër.

Në këto zgjedhje është futur me moton megallomane: “shteti shtet”, e cila e arsyeton konstatimin sipër.

Vjosa Osmani dhe vonesa e reformimit do ti shkaktojnë dëme të pariparueshme.

Në mos në këto zgjedhje, nga zgjedhjet tjera ajo do të dal parti minore e cila do të venitet duke i lutur fituesit ta marrin në qeveri, për pak interes.

Partia Demokratike e Kosovës (PDK), ka zbatuar “moton”: “Na po ti qepojna e del ku të del”! Kjo parti kurrë nuk ka marr vendime sipas kriterit të numrave e fakteve, por me paushall (tahmin).

Opinioni e ka njohur si partia e kotrumit. Me hierarkinë dhe logjikën e komandimit është radhitur në politikë. Motivi i saj i vetëm i qeverisjes ka qenë tuxharllëku.

Në këto zgjedhje ka hyrë me moton “Rimëkëmja”. Me këtë ka dëshirë të jap mesazh se pas shkuarjes së udhëheqësve të saj në Hagë, ajo po “demilitarizohet” dhe reformohet dhe nuk bart përgjegjësi në rrënimin e shtetit.

Hyxhymin e promovimit të programit me numra në monitor dhe të shkopit mbi të, po i shet si heqje dorë nga epiteti i paushallit.

Kërcënim i rëndë për udhëheqësit e saj “të rinj” është bërë Fatmir Limaj i NISMA-s, i cili po i akuzon hapur për antikombëtarë.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), ka zbatuar “moton”: “Na ecim me këmbë të huaja, flasim për punë shteti, e i kryejmë punët tona”! Kjo parti, konceptet i ndërton dhe i prishë sa hapë e mbyllë sytë, për shkak se ato i merr sokaqeve.

Prandaj udhëheqësi i saj muskuloz është kaq kontrovers në paraqitjet e veta, sa edhe kur gënjen vet, të tjerët i sheh drejt në sy dhe i akuzon me fjalët: “Po rrenë”!

Në këto zgjedhje është futur me moton “Forca e Kosovës”, me të cilën po përpiqet ta fsheh lodhjen e vet. Mënyra e vetme e mbijetesës është hisja në qeveri, pavarësisht fituesit dhe programit.

Për t’ia bërë me sy Vv se është e gatshme për partneritet në qeverinë e saj, po luan me kartën e Bashkimin Kombëtar, duke harruar se në gjoks ende e bartë flamurin e Kosovës.

Qeverisja e Vv pas fitores në këto zgjedhje është e domosdoshme, për shkak se reformat në Kosovë janë të domosdoshme.

Kjo duhet të ndodh sepse reformat e kësaj kohe duhet të jenë të shpejta për: formalizimin e ekonomisë, shkurtimin e shpenzimeve të kota të qeverisë dhe subvencionet joreale, rritjen e kursimeve, ngritjen e arsimit, forcimin e specializimit në teknologjitë e reja, efikasitet në shfrytëzimin e burimeve energjetike, shfrytëzimin industrial të mineraleve, prodhimtarinë bujqësore dhe përpunimin industrial, kujdesin shëndetësorë dhe mirëqenien sociale, sigurimin pensional, infrastrukturën e maturë rrugore.

Në anën tjetër, kalimi në opozitë për një kohë relativisht të gjatë i partive, do t’iu bëjë mirë atyre sepse ato do të reformohen dhe bëhen gati për start të ri dhe njerëz që nuk diferencohen nga oligarkët, por krijojnë diferencë demokratike me punë dhe ide.

Për fund, mund të konstatohet se Vv e ka kredibilitetin ti shuaj shpresat e kthimit të Serbisë në një pjesë të territorit të Kosovës dhe në qeverisjen e përbashkët të saj, të cilat për shkak të kompromiseve nga qeveritë e kaluara, kanë ndodhur.

Kjo u dëshmua këtë javë me Presidentën në detyrë, e cila u pengua të kaloj në veri dhe me kontrabandimin e njerëzve të besuar të Serbisë në listat e komuniteteve tjera.

Në të njëjtën kohë, Kosovës do ta marr liberalizimin e vizave, për shkak të përmbushjes së sigurte të kriterit të luftimit të krimit dhe korrupsionit.