Dosja e krimeve në Zhegër ka më shumë se një fajtor

Banorët e Zhegrës kanë mirëpritur gjyqin e njërit prej atyre që kryen krime në këtë fshat të komunës së Gjilanit, gjatë vitit 1999, por janë të pakënaqur me lartësinë e dënimit ndaj tij. Ata thonë se pos Vlada Zmajeviq, ka edhe shumë të tjerë që kryen krime mbi popullsinë civile në Zhegër.

Vlada Zmajeviq nga Nikshiqi, ishte arrestuar në Mal të Zi, nën dyshimin se ka kryer krime lufte kundër popullatës civile në Kosovë, më 1999. Sipas Fondit për të Drejtën Humanitare në Kosovë, Zmajeviq ishte i pari në listë për krimet në Zhegër të Gjilanit.

Në bazë të hulumtimeve gjatë vitit 2000, Fondi ka dokumentuar se në këtë krim janë vrarë gjashtë persona, më 29 dhe 30 mars 1999. Në bazë të dëshmive të dëshmitarëve, më 29 mars 1999, tetë autobusë, sipas të gjitha gjasave, me vullnetarë të Ushtrisë Jugosllave, kanë arritur në fshat dhe kanë vrarë gjashtë persona, në mesin e tyre edhe pleq dhe gra.

Banorët e Zhegrës thonë se vrasjet, torturat, djegiet e shtëpive, plaçkitjet në fshatin e tyre nuk kanë ndodhur rastësisht, raporton MediaFokus.info.

Sipas të dhënave të Këshillit të bashkësisë vendore në Zhegër, në periudhën mars-qershor 1999 janë vrarë: Shyqeri (Shukri) Tahiri (1956), Haxhi Ukshin Ukshini (1928) dhe bashkëshortja e tij, Miradije Ukshini (1930), Milazim (Habib) Idrizi (1934), Qazim (Habib) Idrizi (1936) me bashkëshorten Qamile (Jetulla) Haziri (1944).

Milazim Idrizi ishte arsimtar e pedagog për shumë vite. Qamilja ishte vajza e vetme e Jetulla Islamit, i cili ishte vrarë më 23.12.1948 nga UDB-ja famëkeqe. Janë vrarë edhe Fitim (Shukri) Isufi (1977), person me të meta mentale, Raif (Xheladin) Rrustemi, Mustafë (Asllan) Mustafa, 80-vjeçar dhe me aftësi të kufizuara, Sabedin (Sejdi) Hamiti (1975), Ukshin (Sabit) Maloku (1972) dhe Hasan (Ilmi) Maloku (1967). Më 6 qershor 1999 u vra Avni (Sabri) Zenuni (1975).

Prandaj, thonë ata, për krimet në këtë pjesë të Kosovës, ka edhe fajtorë të tjerë dhe kërkojnë që rasti i Zhegrës, ku civilët janë vrarë me lista, të mos mbyllet me dënimin e Vlada Zmajeviqit, sepse dosja e Zhegrës ka shumë emra të tjerë. /MediaFokus/