Një shtet i ri po krijohet, cili është ai?

Popullsia në ishullin Bougainville, që ndodhet në Paqësorin Jugor, ka votuar për pavarësi nga Papua Guinea e Re.

Pas këtij referendumi jo detyrues, liderët e Bougainville-s dhe Papua Guinesë së Re do të bisedojnë për çështjen e pavarësisë.

Fjalën e fundit do ta thonë deputetët nga Papua Guinea e Re. Procesi deri te pavarësi mund të zgjasë me vite.

Kryeministri i Papua Guinesë së Re, James Marape, ende nuk ka dalë me deklaratë në lidhje me referendumin, ku për pavarësi votuan mbi 181 mijë persona, derisa alternativa tjetër për më shumë autonomi, mori mbështetje simbolike.

Referendumi ishte një ndër nenet e rëndësishme të marrëveshjes paqësore të vitit 2001, që i dha fund luftës së brendshme njëzet vjeçare, e cila shkaktoi vdekjen e 15 mijë njerëzve. Shkak për përleshje ishte një minierë bakri, e cila u ndërtuar në Panguna.

Shumë njerëz në Bougainville pohonin se nuk kishin dobi nga miniera, nga e cila Papua Guinea e Re siguronte përfitime nga eksporti, por ndotej mjedisi dhe ndikonte negativisht në mënyrën e jetës tradicionale.

Që nga përleshjet që ndodhën në ishull, miniera qëndron e mbyllur. Disa janë të mendimit se në rast se Bougainville realizon pavarësinë, miniera do të jetë burim kryesor i të ardhurave.

Papua Guinea e Re është ndër vendet më të varfra të Azisë me rreth 40 për qind të popullsisë që jeton më pak se 1 dollar në ditë. Para një kohe, vendi është goditur nga një tërmet shkatërrimtar.

Papua Guinea e RE është vend që e ka njohur Kosovën, por sipas politikanëve serbë njohja është tërhequr. Autoritet kosovare në Ministrinë e Jashtme ndërkaq thonë se kjo nuk është e vërtetë.

Bougainville do të jetë shteti më i ri në botë/MediaFokus/