Drejtori i RTK-së: Tentimet për komprometim janë të kota

Drejtori i Përgjithshëm i Radio Televizionit të Kosovës (RTK), Ngadhnjim Kastrati,  ka reaguar ndaj, sic thote, tentimeve per komprometim ndaj mediumit publik.  

“Tentimet për ta komprometuar RTK-në nëpërmjet fabrikimeve, inskenimeve të situatave dhe shtrembërimeve të të vërtetave do të mbesin veprime të kota të oportunistëve dhe profiterëve, të cilët shfrytëzojnë çdo situatë delikate politike për të krijuar rrethana favorizuese për interesa tërësisht personale”, ka shkruar ndër të tjera Kastrati.

Reagimi i plotë i Kastratit:

RTK mbikëqyrët nga dy Komisione Parlamentare, ai për financa dhe Komisioni për Media. Menaxhimi dhe përgjegjësitë e RTK-së janë të udhëzuara dhe përcaktuara me Ligjin për RTK-në dhe rregulloret e nxjerra mbi bazën e Ligjit.

Për çdo parregullsi ligjore dhe profesionale mbahemi përgjegjës nga komisionet përkatëse të themeluesit, të cilit i obligohemi t’i japim llogari.

Tentimet për ta komprometuar RTK-në nëpërmjet fabrikimeve, inskenimeve të situatave dhe shtrembërimeve të të vërtetave do të mbesin veprime të kota të oportunistëve dhe profiterëve, të cilët shfrytëzojnë çdo situatë delikate politike për të krijuar rrethana favorizuese për interesa tërësisht personale.

Puna profesionale e RTK-së është publike dhe i nënshtrohet vlerësimit të vazhdueshëm të publikut, të vetmit vlerësues real.