Drejtoria komunale që pavarësinë po e shënon me veshje kombëtare

Për festën e mëvetësisë së Kosovës, në 12-vjetorin e pavarësisë, tashmë është publikuar logo zyrtare.

Qeveria e Kosovës dhe komunat kanë bërë përgatitjet për të shënuar këtë datë historike. Secili në mënyrën e tyre.

Mirëpo, është një Drejtori komunale që festën e ka nisur në një mënyrë të veçantë.

Bëhet fjalë për Drejtorinë për Kulturë, Rini dhe Sport në Gjilan, e cila, në vigjilje të 12 vjetorit të pavarësisë së Kosovës, ka publikuar fotografitë e zyrtarëve të saj, aktorëve të teatrit, të zyrës së trashëgimisë e të eksponentëve të ansambleve kulturore, me veshje tradicionale – kombëtare, transmeton Mediafokus.info.

Kjo Drejtori, në profilin e saj zyrtar në Facebook, po vazhdon t’i publikojë fotografitë me veshje kombëtare, të cilat kanë marrë, jo pak, vëmendjen e publikut.

Për festën kuq e zi jemi mësuar me këto pamje, por duket se Gjilani po e shënon përvjetorin e pavarësisë së Kosovës pak më ndryshe se të tjerët.

Kosova i mbush 12-vjet nga shpallja e Deklaratës së Pavarësisë dhe në Komunën e Gjilanit, sipas njoftimeve publike, do të ketë aktivitete të ndryshme kulturore./MediaFokus/