Ulen pagat në Qeveri, nuk preken ato në sistemin e drejtësisë

Qeveria e Kosovës ka miratuar shfuqizimin e vendimit për rritjen e pagave që e kishte marrë Qeveria e Kosovës e udhëhequr nga ish-kryeministri Ramush Haradinaj në dhjetor të 2017-s.

“Pagat kthehen me rregullimin e mëhershëm. Ky vendim nuk ka efekt në Gjykatën Kushtetuese e as në sistemin juridik”, ka thënë Kurti, raporton KTV.

Janë shfuqizuar të gjitha vendimet për emërimet e koordinatorëve nacionalë.

Në vendimin e 20 dhjetorit 2017, Qeveria Haradinaj kishte vendosur për rritje të pagave për 100 për qind. Kryeministrit Haradinaj nga 1500 euro paga i ishte bërë 2950 euro.

Sipas Ligjit për Gjykatat paga e kryeministrit dhe e zyrtarëve të tjerë në kabinetin qeveritar është ekuivalente me pagat në sektorin e drejtësisë. Kjo kishte bërë që pagat, pos Haradinajt dhe kabinetit të tij, ishin rritur edhe në këtë sektor. Më vonë ishte votuar Ligji për paga që parashihte rregullimin edhe të pagave të kabinetit qeveritar.

Ligji për pagat parashihte zvogëlimin e pagave edhe për kryeministrin, por ky ligj është pezulluar deri në mars pas një vendimi të Gjykatës Kushtetuese.

Pas mbledhjes së parë punuese të Qeverisë, kryeministri Albin Kurti nuk është paraqitur në konferencë për media, siç rëndom ndodhte në Qeverinë e udhëhequr nga ish-kryeministri Ramush Haradinaj./Koha/