Dy vëllezër nga Gjilani përfaqësuan Kosovën në Kampionatin Botëror të Picës në Itali
Dy vëllezër nga Gjilani, Uvejs dhe Fisnik Morina, kanë përfaqësuar Kosovën në Kampionatin Botëror Pizza DOC, që u mbajt nga 10 deri më 12 nëntor në Paestum të Italisë, transmeton albinfo.ch.
Vëllezërit Morina, themelues të biznesit familjar TAPPO Napoletano në Gjilan, morën pjesë në edicionin e 12-të të kësaj gare ndërkombëtare, ku konkurruan më shumë se 600 pjesëmarrës nga 30 vende të ndryshme.
Në këtë garë, Fisnik Morina fitoi çmimin “Best Pizzaiolo DOC Kosovo 2026”, ndërsa në kategorinë e picës klasike u rendit në vendin e 63-të.
Ndërkaq, vëllai i tij, Uvejs Morina, garoi në kategorinë e picës bashkëkohore, ku zuri vendin e 59-të.
Për pjesëmarrjen dhe rezultatet e tyre ka reaguar edhe Ambasada e Republikës së Kosovës në Itali, e cila i ka uruar dy vëllezërit për suksesin dhe përfaqësimin e Gjilanit dhe Kosovës në këtë garë ndërkombëtare.
Pjesëmarrja e tyre në një kompeticion të tillë ndërkombëtar prezanton edhe biznesin dhe potencialin e sipërmarrësve nga Kosova në fushën e gastronomisë.

