E gjeti ‘qypin me lira’ por fati nuk ishte brenda tij

Në rripin e fundit të tokave të Kosovës, në pjesën lindore të kufirit me Serbinë, jetohet ndërmjet realitetit dhe ëndrrave. Shumica e banorëve të kësaj zone, jetojnë nga asistenca sociale dhe ndihmat humanitare, shkruan gazeta online Mediafokus.info

Kryefamiljarët vazhdojnë të hamenden ndërmjet amanetit të etërve, për të mos i braktisur varret dhe tokën e të parëve dhe, ëndrrës së fëmijëve të tyre, për një të ardhme ndryshe nga e kaluara.

Në Myçibabë, Burincë e Lipovicë kanë problem t`i martojnë djemtë dhe vajzat. Askush nuk dëshiron ta jap çikën e tij në këtë fshat, sikur askujt nuk i bie ndërmend të shkojë në këto anë për të kërkuar një nuse për djalë. Njerëzve, sikur u duken dy botë të ndara këto.

Jeta pranë kufirit ende të pa definuar me Serbinë, nuk është e lehtë aspak, edhe për shkak të terrenit të thyer, mungesës së ujit, tokave të bukës. Në Myçibabë duhet të sigurohen uji e druri, buka dhe ushqimi i bagëtive, para dimrit dhe pa rënë terri, sepse natës nuk i zihet besë. Rreth 70 për qind të tokave dhe maleve shtrihen përgjatë kufirit me Serbinë dhe matanë tij.

Meqenëse mundësi tjera për mbijetesë nuk kanë, shumica e tyre jetojnë nga asistenca sociale. Shumica e banorëve nuk dinë për festat e ditëlindjes, festën e vitit ri, për disa festa të tjera. Festa e tyre e vetme, është Bajrami.

Atje, secila ditë është e njëjtë me tjetrën. Dielli ndjek të njëjtën rrugë, ndërsa banorët kanë të njëjtin fat. Për këto arsye, shumë shtëpi nuk tymojnë më, sepse ata që kanë pasur mundësi, kanë ikur nga atje, ose nuk janë rikthyer fare pas luftës.

Burrat e Myçibabës thonë se jeta këtu nuk është e lehtë për shumë gjera. Sipas një legjende, edhe vetë toponimi Myçibabë nënkupton mundim dhe vuajtje. Ndoshta këto vuajtje i bëjnë njerëzit e kësaj toke kaq fort të lidhur për vendlindjen. Edhe ata që janë shpërngulur, nuk shkon muaji pa dalë atje gjatë ditës. Këtu sikur ndjehen me mirë.

Vehid Ibrahimi nuk pati fat as kur e gjeti qypin, sepse nuk kishte lira në të, siç kishte shpresuar ai, por ishte i mbushur me dinarë të Serbisë, të vitit 1944. Nuk iu deshën asgjë. Por ai ende beson te fati, prandaj është lidhur kaq fort me vendlindjen dhe nuk do të largohet nga andej, çka do që t`i sjellë ajo, të mira apo të këqija. /Mediafokus.info