E pazakontë: Gruaja s’arrin të shkojë në maternitet, lind në Spitalin e Traumës

Një rast i pazakontë është regjistruar në Urgjencën e Spitalit Universitar të Traumës në Tiranë, ku një grua shtatzënë u paraqit për ndihmë mjekësore, duke qenë se kjo ishte struktura spitalore më e afërt.

Sipas njoftimit të Ministrisë së Shëndetësisë, stafi mjekësor i Spitalit Universitar të Traumës reagoi menjëherë, duke koordinuar situatën me ekipin e Maternitetit “Koço Gliozheni”.

Ndërkohë, mjekët e Traumës ndërhynë për t’i ofruar gruas kujdesin e nevojshëm mjekësor dhe për të menaxhuar situatën deri në koordinimin me ekipin e specializuar të maternitetit.

Falë ndërhyrjes në kohë, bashkëpunimit mes ekipeve mjekësore dhe koordinimit ndërinstitucional, nëna dhe foshnja janë në gjendje të mirë shëndetësore.

Edhe pse Spitali Universitar i Traumës është një strukturë e specializuar kryesisht në trajtimin e pacientëve me trauma, rasti tregon rëndësinë e dhënies së ndihmës së menjëhershme, veçanërisht në situata urgjente.

Ministria e Shëndetësisë thekson se prioriteti i strukturave shëndetësore mbetet siguria dhe shëndeti i pacientit, me ndërhyrje në kohë dhe në përputhje me protokollet mjekësore.

Një rast që dëshmon edhe një herë rëndësinë e bashkëpunimit mes strukturave shëndetësore në situatat urgjente, ku çdo minutë mund të jetë vendimtare./TCh/