Sa qeveritarë të mbrapshtë: Eksportojnë thëngjill, importojnë energji të prodhuar nga ai thëngjill
Anëtari i Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti tha se eksporti i thëngjillit tregon varfërinë ekonomike dhe mungesën e vizionit për zhvillim nga qeveritarët, të cilët i cilësoi “të padijshëm” dhe “të mbrapshtë”.
Ish-kryeministri shkroi në një postim se “pas anulimit të projekteve madhore energjetike, Kosova tash krenohet me eksportin e thëngjillit. E në anën tjetër, importon enegjinë e prodhuar nga ai thëngjill”.
“Dhe kjo ndodh pas 6 vitesh të LVV-së në krye të qeverisë, gjatë të cilave vite asnjë kapacitet i ri energjetik stabil nuk është ndërtuar, as me thëngjill e as me gaz. Ky na qenka “tranzicioni energjetik” i Kosovës nën udhëheqjen e VV-së”, shkroi ai.
“Kushdo që merr vesh në ekonomi, e di se vendi që eksporton lëndë të parë dhe importon produktin e gatshëm të prodhuar plotësisht nga ajo lëndë e parë, siç është rasti konkret, tregon varfërinë e vet ekonomike dhe mungesën e vizionit për zhvillim. Sa të padijshëm e sa të mbrapshtë”, shtoi Hoti.

