E thënë nga dietologia: Lëkura e kastravecit bën mrekulli

Dr Anila Kalleshi – dietologe klinike

Sot do t’ju tregojmë se pjesa më e madhe e vlerave të kastravecit gjendet te lëkura e tij. Lëkura e kastravecit është një burim i mirë i beta karotenit, i domosdoshëm për shëndetin e syve.

Gjysëm racioni me feta kastraveci me gjithë lëkurë ofron 55 njësi të vitaminës A, gjysma e së cilës vjen në formën e beta karotenit. Kastraveci në tërësi është gjithashtu i pasur me vitaminë C. Një racion me kastravec me apo pa lëkurë ofron 3.8 gramë të vitaminës C.

Duke qenë se kjo vitaminë nuk ruhet dot në organizëm, njeriu duhet të sigurojë sasi të vazhdueshme të saj. Vitamina C mbron imunitetin dhe nxit prodhimin e kolagjenit.

Burim fibre – Lëkura e kastravecit është e pasur me fibër e cila pastron sistemin tretës nga çdo mbetje ushqimore. Fibra largon konstipacionin, përthith lëngjet e tepërta dhe i nxjerr ato nga organizmi. Një filxhan me copa kastraveci bashkë me lëkurë ofrojnë 1 gramë fibër.

Vitamina K – Lëkura e kastravecit është e pasur me vitaminë K, e cila aktivizon proteinat e trupit për mirëmbajtjen e kockave dhe zhvillimin qelizor. Megjithatë, roli primar i vitaminës K është të mirëmbajë qarkullimin e gjakut Në një filxhan me copa kastraveci me gjithë lëkurë gjenden 49 mikrogramë vitaminë K. E njëjta sasi e kastravecit pa lëkurë përmban vetëm 9 mikrogram vitaminë K. Njerëzit që marrin medikamente për hollimin e gjakut, duhet të konsultohen me mjekun për konsumin e ushqimeve me vitaminë K, sepse kjo vitaminë mpiks gjakun.

Pak kalori – Kastraveci, me ose pa lëkurë, ofron pak kalori. Ngrënia e kastravecit të shijshëm dhe freskues, rigjallëron organizmin, por nuk ka ndikim negativ tek pesha e trupit.