Edhe burgjet mund të preken nga coronavirusi
As burgjet nuk janë të mbrojtura dhe të sigurta nga coronavirusi.
Nëse ndodhë që virursi kinez të depërtojë brenda tyre, atëherë 19 të dënuar do të mund të lirohen përkohësisht, shkaku i moshës dhe problemeve tjera shëndetësore që kanë.
Drejtori i burgjeve, Nehat Thaçi, ka thënë se kërkesa e tyre për pezullimin e përkohshëm të dënimit, është bërë shkaku i gjendjes shëndetësore, raporton gazetaexpress.
Sipas tij, ka edhe të paraburgosur të tjerë të cilët nuk janë në gjendje të mirë shëndetësore.
Ai thotë se janë të përgatitur për çfarëdo situate. E nëse ajo përkeqësohet, sipas tij, dënimi do të mund t’u pezullohet edhe të dënuarve që kanë më pak se 3 vjet burgim.
Në mesin e shumë masave parandaluese që janë marrë në qendrën e paraburgimit në Hajvali, është edhe lirimi i zyrtarëve mbi moshën 60-vjeçare dhe masat parandaluese si: ndalim i vizitave në këtë qendër.
Në qendrën e paraburgimit në Hajvali është caktuar pavijoni ku do të vendosen të gjithë të paraburgimit të cilët do të vijnë gjatë ditëve në vazhdim.
Sipas mjekëve të kësaj qendre, ata do të izolohen në këtë qendër për 14 ditë.
Izolimi do të mund të zgjasë deri në 21 ditë, por personeli shëndetësor thotë se ka shtuar numrin e kontrolleve brenda kësaj qendre paraburgimi.
Në të gjitha burgjet e Kosovës gjenden 1,743 të burgosur, 467 prej tyre në paraburgim. Vetëm në qendrën e paraburgimit në Hajvali, gjenden 185 të paraburgosur.
Drejtues të kësaj qendre të paraburgimit kanë thënë se ata kanë mjaftueshëm hapësira të nevojshme për futjen në karantinë të të paraburgosurve.

