Banorëve të këtyre shteteve u kërkohet test PCR para hyrjes në Kosovë

Banorët e 25 shteteve evropiane duhet të posedojnë një test PCR-Negativ për të hyrë në Kosovë. Në rast se nuk e kanë një test të tillë, ata duhet të vetizolohen për shtatë ditë.

Qeveria në detyrë dje ka miratuar masat e reja për parandalimin e përhapjes së COVID-19.

“Qytetarët e huaj që hyjnë në Kosovë, përfshirë edhe ata me leje qëndrim të përkohshëm ose përhershëm në Kosovë, që vijnë nga vendet me risk të lartë sipas listës zyrtare të ECDC-së, duhet të kenë test RT-PCR negativ për Covid-19 të bërë në 72 orët e fundit, në bazë të parimit të reciprocitetit”, thuhet në vendimin e Qeverisë.

Por, cilat janë shtetet që i konsideron Kosova me rrezikshmëri të lartë të infektimit?

Kosova vepron në bazë të listës së publikuar në web faqen e Qendrës Europiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve (ECDC).

Në bazë të kësaj liste, aktualisht shtete me rrezik të lartë të infekitimit janë: Franca, Spanja, Italia, Gjermania, Polonia, Çekia, Holanda, Portugalia, Rumania, Belgjika, Suedia, Austria, Hungaria, Sllovakia, Kroacia, Bullgaria, Irlanda, Lituania, Sllovenia, Latvia, Luksemburgu, Estonia, Qiproja, Malta dhe Lihtenshtajni.