Ministri i Drejtësisë dhe Kryeprokurori i Shtetit diskutojnë për mbarëvajtjen e zgjedhjeve

Ministri i Drejtësisë në detyrë, Selim Selimi, sot ka zhvilluar një takim pune me Kryeprokurorin e Shtetit, Aleksandër Lumezi, ku kanë biseduar për mbarëvajtjen e zgejdhjeve të parakohshme në Kosovë, të cilat do të mbahen më 14 shkurt.

Duke konsideruar se Kosova është e dëshmuar për zgjedhje të lira dhe fer, si shtyllë e demokracisë funksionale dhe shembull për shumë shtete të rajonit, Ministri Selimi ka potencuar se duhet ruajtur këtë pjekuri elektorale dhe përgjegjësinë e manifestuar të qytetarëve, gjatë procesit zgjedhor.

Në kuadër të takimit, Ministri Selimi ka bërë thirrje që komisionerët dhe vëzhguesit t’iu përmbahen principeve të administrimit të procesit të votimit dhe numërimit në mënyrë që të sigurojnë integritet të kutisë së votimit, duke garantuar proces transparent e kredibil, por po ashtu që të mos bëhen pre e kryerjes së veprës penale të mashtrimit në votime, vepër kjo që është e dënueshme deri në pesë vite burgim.

“Komisionerët dhe vëzhguesit janë gardianë dhe garantues të ruajtjes së votës së lirë dhe si të tillë duhet të jenë përgjegjës që vota e secilit qytetar të shkojë në destinacion, duke siguruar proces të drejtë zgjedhor.”

Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, ka deklaruar se Prokuroria e Shtetit është adresë për raportim të çfarëdo rasti të kundërligjshëm, duke thënë se të gjitha keqpërdorimet do të ndiqen dhe ndëshkohen sipas ligjit, thuhet në një njoftim nga MInistria e Drejtësisë.