Edhe në rigjykim për “53-milionëshin”, Pal Lekaj dënohet me 3 vjet e 8 muaj burgim efektiv

Prishtinë- Gjykata Themelore në Prishtinë edhe në procesin e rigjykimit lidhur me rastin e njohur si “53-milionëshi”, ka shpallur aktgjykim dënues ndaj të akuzuarve Pal Lekaj, Eset Berisha, Nebih Shatri dhe Besim Tahiri, të cilët ngarkohen për keqpërdorim të detyrës lidhur me autostradën “Arbën Xhaferi”. Të akuzuarit u dënuan sikurse në gjykimin e parë- Lekaj me 3 vjet e 8 muaj burgim, Tahiri dhe Shatri me nga 1 vit e 8 muaj burgim, dhe Berisha me 3 vjet e 3 muaj burgim.

Në këtë rast, Pal Lekaj, në cilësinë e ministrit të Ministrisë së Infrastrukturës (MI), Eset Berisha, në cilësinë e këshilltarit të lartë politik i tij, Nebih Shatri, si sekretar i Përgjithshëm në këtë ministri dhe Besim Tahiri, si drejtor i Prokurimit Publik në MI, ngarkoheshin nga Prokuroria për keqpërdorim të detyrës me rastin e zbatimit të projektit “Autostrada Prishtinë- Han i Elezit R6”, me ç’rast buxhetit të Republikës së Kosovës i kanë shkaktuar dëm në vlerë prej 38 milionë e 321 mijë e 346 euro, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Aktgjykimi është marrë të mërkurën me shumicë votash nga trupi gjykues i përbërë nga Violeta Namani-Hajra- kryetare, Rrahman Beqiri dhe Donikë Shala-Abdyli-  anëtarë.

Sipas vendimit, Lekaj u shpall fajtor për “Keqpërdorim të detyrës zyrtare” dhe u dënua me 3 vjet e 8 muaj burgim. Ndaj tij u shpall edhe dënim plotësues- ndalimi i ushtrimit të funksioneve në administratë publike në kohëzgjatje prej 3 vjet e 6 muaj.

Besim Tahiri u shpall fajtor për “Keqpërdorim të detyrës zyrtare” dhe u dënua me 1 vit e 8 muaj burigm. Edhe ndaj tij u shpall dënimi plotësues- ndalimi i ushtrimit të funksioneve në administratë publike për 2 vjet.

Eset Berisha u shpall fajtor për “Ndihmë në kryerjen e veprës penale keqpërdorim i detyrës zyrtare” dhe u dënua me 3 vjet e 3 muaj burgim. Ndaj tij u shpall edhe dënimi plotësues- ndalimi i ushtrimit të funksioneve në administratë publike për 3 vjet.

Kurse, Nebih Shatri u shpall fajtor për “Keqpërdorim të detyrës zyrtare” dhe u dënua me 1 vit e 8 muaj burgim. Ndaj tij u shpall dënim plotësues- ndalimi i ushtrimit të funksioneve në administratë publike për 2 vjet.

Më pas, gjykatësja Namani-Hajra dha edhe arsyetimin e vendimit, duke thënë se në projektin e autostradës “Arbën Xhaferi”, të pandehurit kanë qenë në dijeni se ka qenë ankes- marrëveshja me kosto financiare prej 14 milionë euro, por prapë është tejkaluar rekomandimi i mbikëqyrësit të kontratës “Hill International” dhe ajo me dashje të drejtpërdrejtë.

Sipas arsyetimit të vendimit, ka pasur devijime të projektit. Më tej, u tha se Gjykata gjatë shqyrtimit gjyqësor ka administruar provat materiale dhe janë dëgjuar dëshmitarë, ku edhe janë vërtetuar veprimet inkriminuese të të pandehurve.

Gjykatësja theksoi se nga procesverbalet e Komitetit Ndërministror, Gjykata ka gjet se Lekaj dhe Berisha kishin informuar anëtarët e Komitetit për ecurinë e projektit, ku Berisha ishte caktuar për negocim me kompaninë Bechtel & Enka, dhe se në momentin kur Lekaj ka caktuar atë në atë detyrë, i njëjti ka tejkaluar detyrat zyrtare.

Sipas Gjykatës, në këtë mënyrë, Pal Lekaj ka prezantuar para Komitetit fakte të rreme.

Gjithashtu, në arsyetim të vendimit, gjykatësja Namani-Hajra tha se është vërtetuar që Lekaj nuk ka njoftuar anëtarët për lidhjen e marrëveshjes për zgjatjen e afatit të punimeve, nuk i ka pajisur anëtarët me kontratën bazë dhe nuk ka njoftuar me opinionin e “Hill International”.

Më tutje, u tha se lidhur me pretendimet e Eset Berishës dhe Pal Lekajt se nuk kanë pranuar opinionin, nga dëshmitarët është vërtetuar se të gjitha shkresat e ardhura në kabinetin e ministrit janë nënshkruar. Dhe se, nga “Hill International”, Gjykata ka pranuar dokumentin- opinionin se e kanë pranuar si ministri.