Ende pa nisur aplikimi për tërheqjen e 10 përqindëshit, bie ueb-faqja e Trustit

Trusti Pensional i Kosovës ka hapur një ueb-faqe të veçantë përmes së cilës qytetarët e Kosovës mund të aplikojnë nga sot në ora 15:00 për të tërhequr 10 për qind të mjeteve të kursyera në bazë të Ligjit të Rimëkëmbjes Ekonomike, por kjo ueb-faqe ende pa nisur aplikimi nuk është duke punuar. 

Kjo faqe ishte hapur pikërisht për të shmangur ngarkesat apo problemet teknike dhe për të lehtësuar procedurat e aplikimit për qytetarët.

Sipas njoftimit zyrtarë të Trustit Pensional, aplikimi do të nis sot, duke filluar nga ora 15:00.

Përmes një njoftimi, Fondi i Kursimeve Pensionale të Kosovës ka sqaruar mënyrën e aplikimit për tërheqjen e 10-përqindëshit.

“Aplikimi për tërheqje të 10% do të bëhet vetëm ONLINE dhe përmes një faqeje të veçantë interneti. Pra, nuk keni nevojë që tani të krijoni qasje në eTrusti. Adresa e faqes së veçantë të internetit për aplikim të tërheqjes 10% dhe detajet tjera do të publikohen ditëve në vijim”, thuhet në njoftim, përcjell Telegrafi.

Sipas Trustit, janë katër muaj në dispozicion për aplikim.

“Për aplikim janë në dispozicion 4 muaj. Prandaj, mos u brengosni nëse nuk mund të aplikoni që në ditët e para pas dekretimit”, përfundon njoftimi.

Pjesë e Ligjit është edhe rimbursimi nga Qeveria e Kosovës së 10-përqindëshit të mjeteve të tërhequra nga Fondi Pensional, për të gjithë ata që kanë më pak se 10 mijë euro.