Enver Hasani: U.D i Presidentit nuk mund të caktojë mandatarin për Kryeministër

Lëvizja Vetëvendosje ende nuk e ka zbuluar emrin e pretendentit për kryetar të kuvendit, krahas atij për kryeministër që është Albin Kurti dhe Vjosa Osmani si kandidate për presidente.

Juristët thonë se procedura kushtetuese kërkon që së pari të konstituohet kuvendi, pastaj shefi i shtetit dhe në fund ekzekutivi.

E, sipas një interpretimi të ish-kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, u. d. i presidentit nuk mund ta caktojë mandatarin e ri.Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, ka folur për procedurën që duhet ndjekur deri në konsitutimin e organeve kryesore të shtetit.

“Renditja e gjymtyrëve kryesorë të pushtetit që përfaqësohen prej organeve përkatëse të pushtetit në një kushtetutë moderne, flet shumë për karakterin e sistemit politik dhe kushtetues. Në Kosovë kjo renditje nis me organin ligjvënës dhe përfaqësues (Kuvendi i Kosovës), vazhdon me shefin e shtetit (Presidenti i Republikës), i cili pasohet nga ekzekutivi (Qeveria e Kosovës)”, ka thënë Hasani.

Sipas tij, me përjashtim të Austrisë, kështu është në të gjitha kushtetutat e vendeve anëtare të Këshillit të Evropës, të cilat kanë sistem politik dhe kushtetues që njihet si demokraci kushtetuese parlamentare, ku parlamenti është zinxhiri legjitimues i organeve të tjera shtetërore.“Për më tepër, në demokracitë kushtetuese me sistem parlamentar që kanë rregullim monarkik, ka raste që kushtetuta nuk normon rolin dhe pozitën kushtetuese të mbretit, por të parlamentit. I tillë është rasti me Suedinë. Kjo do të thotë, thënë ndryshe, se në demokracitë kushtetuese parlamentare çdo gjë nis me parlamentin, vazhdon me shefin e shtetit, për të kaluar më pas në ekzekutiv”, ka deklaruar Hasani.
Përveç mungesës së qeverisë dhe kuvendit, vendi do të mbetet shpejt edhe pa postin e presidentit, meqë ushtrueses së detyrës i skadon mandati në prill.

“Nuk ka asnjë dyshim që renditja e organeve në Kushtetutën e Kosovës e bën të qartë si loti se së pari konstituohet kuvendi, pastaj shefi i shtetit, përkatësisht presidenti i Republikës, dhe në fund ekzekutivi, pra qeveria. Ky është detyrim kushtetues që përcaktohet nga vetë renditja e organeve në Kushtetutë. E tillë është gjendja , siç u tha më sipër, në krejt demokracitë kushtetuese parlamentare të Evropës, me përjashtim të Austrisë. U. d. i presidentit mund të mandatojë një mandatar të ri vetëm atëherë kur përbërja e Kuvendit është e vjetër dhe asnjëherë ndryshe. Kjo për shkak se me një mandatim të tillë, në përbërjen e vjetër të kuvendit, në mënyrë simbolike respektohet dhe promovohet kontinuiteti kushtetues i organeve të pushtetit shtetëror”, ka theksuar Hasani.

Profesori i së drejtës ndërkombëtare i është referuar edhe një vendimi të Gjykatës Kushtetuese, sipas të cilit u. d. i presidentit mund t’i kryejë punët rutinë, gjithnjë me qëllim të moscenimit të lirive dhe të drejtave të individit.“Caktimi i mandatarit për formim të qeverisë në asnjë interpretim nuk është detyrë rutinë (e përditshme) kur vendi sapo ka dalë nga zgjedhjet. Zgjedhjet duhet t’i legjitimojnë organet e reja sipas renditjes së tyre kushtetuese dhe kohës kur postet kanë ngelur vakante”, ka thënë Hasani per koha.