Është e pakuptueshme të solidarizohemi me një shtet i cili ka raporte vëllazërore me okupatorin tonë

Arben Dubova

Është e papranueshme që t`i duartrokasish dhunës, e po aq e pakuptueshme që ne shqiptarët e Kosovës të solidarizohemi me një popull i cili gjatë epokës së terrorit mbi ne, as që ka qarë kokën, përkundrazi raportet vëllazërore me ish-okupatorin tonë i pat ruajtur në nivel të kënaqshëm.

Fjalën e kam për shtetin e Palestinës i cili tradicionalisht ka qenë dhe mbetet kundër shtetit të Kosovës.

E çka na duhet neve që të merremi me problemet e botës, a kemi kaçik ne që t’i zgjidhim ato?!

Pozicionimi i disa individëve e aq më keq edhe atyre që janë aktivisht në politikë përkrah kinse “vëllezërve tanë musliman”, është krejt i panevojshëm dhe i gabuar, sepse atje nuk bëhet fjalë për konflikt fetarë, por puro politik.

Edhe unë jam musliman, bile e praktikoj fenë për aq sa mundem dhe di, mirëpo me arabët nuk kam asgjë të përbashkët, ndërsa me ata që janë miq me armikun tim, jam më i ashpër se me vet armikun.

Kosova e ka të përcaktuar orientimin e sajë edhe fetar edhe politik, prandaj të mos bëjmë gabime duke u pozicionuar nga njëra anë me shpresën se bëhemi më musliman, në fakt po dalim edhe jofalenderues ndaj atyre që na ndihmuan në ditët më të vështira po edhe qesharak.