Eskalon situata në Podujevë – Nisin kritikat brenda partisë edhe kundër Kurtit

Dy drejtorë u larguan brenda dy ditësh nga Komuna e Podujevës, drejtori i Inspektoratit Besnik Mulliqi u shkarkua nga Bulliqi, ndërsa ai i Shëndetësisë Driton Veliu dha dorëheqje, duke trazuar kështu ujërat brenda partisë së VV-së.

I pakënaqur me formën e qeverisjes është edhe ish- kandidati për kryetar të Komunës së Podujevës, Ajet Potera, i cili ka reaguar lidhur me largimin nga pozita të drejtorëve në këtë komunë, duke e quajtur këtë si sinjalizim për korrupsion, shkruan Insajderi.

Potera përmes rrjetit social, Facebook, vuri theks të veçantë në atë se Lëvizja Vetvendosje është kundër njerëzve të korruptuar.

“Aktivistët e saj janë njerëz që nuk nënshtrohen përballë të korruptuarëve, mjaft ka mbizotëruar korrupsioni qe 20 vite në atë Komunë” – thuhet ndër tjera në reagimin e Poterës.

Derisa, Potera pati edhe një “mesazh” për Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, i cili po sot në Kuvend tha se nuk do të përkrahë korrupsionin dhe poashtu bëri thirrje që edhe rastet për korrupsion të hetohen.

“Albin Kurti në seancën e Kuvendit më 04.08.2022 …çfarëdo pretendimi për korrupsion për krim kudo në institucione. Unë një gjë ju garantoj, kurrë nuk do ta ketë mburojë apo mbështetjen të Kryeministrit sa të jem unë ai. Pra nuk ka mbështetje as mburoj, të gjitha pretendimet që bëhen, unë jam shumë i interesuar që të hetohen e hulumtohen…” – shkroi Potera.

Ndryshe, përveç largimit të dy drejtorëve, në publik po përflitet edhe për dorëheqje të tjera.