Familja Xhaferi është njëra nga viktimat e luftës kundër civilëve në Kishnicë

Mediat kanë publikuar sot një listë me emrat e serbëve të dyshuar për krime kundër popullsisë civile në Kosovë, veçmas në Kishnicë. Në Kishnicë ishin vrarë edhe tre anëtarë të familjes Xhaferi, Ramizi (1929), Miradija (1943) dhe Safeti (1981), djali i tyre.

Historia e kësaj familje, veçmas e Miradijes, e cila njihej me tre emra, është e jashtëzakonshme.

Tre trupat e pa jetë të Ramiz Xhaferit, bashkëshortes së tij Miradijes dhe djalit të tyre, Safetit ishin zbuluar nga disa barinj të fshatit Kishnicë, më 16 prill 2004, por procedura e identifikimit kishte zgjatur gati dy vjet.

Bashkëvendësit e tyre në Kishnicë, ku familja Xhaferi ishte vendosur pak kohë para luftës, pasi ishin shpërngulur së fundi nga Gjilani, pas ecejakeve në Mlladenoc dhe Prizren, thonë se ata ishin eliminuar nga forcat serbe më 28 mars 1999.

Në vitin 2006 u rivarrosën në Gjilan.

Dëshmitarët thonë se Ramizi, Miradija (e identifikuar në letërnjoftim si Miroslavka, e lindur në Vranjë) dhe Safeti ishin ekzekutuar nga krimineli i njohur me nofkën “Mila”.

Sipas bashkëvendësve, Xhaferët ishin fqinjë shumë të mirë.

Disa minuta pasi kishte përfunduar varrimi, në Gjilan kishte mbërritur Bekim Mehmeti, djali i Miradijes nga martesa e parë, i cili ka treguar se nëna e tij ka qenë shqiptare.

Bekimi ka rrëfyer një pjesë të dhimbshme të historisë së nanës së tij, të cilin ai e njihte me emrin Nurije.

Prindërit e saj ishin shpërngulur nga Gjilani në Vranjë, shkaku i një vrasje të paqëllimtë që i kishte ndodhur Ramadanit (babait të Miradijes) në gjueti.

Nën presion, Ramadani është detyruar ta ndërrojë emrin e tij dhe të familjarëve, në Vranjë.

‘Nurija ka qenë shqiptare dhe ajo është martuar me shqiptarë. Shqip ka folur’, kishte thënë Bekim Mehmeti, para se të drejtohej për në varrezat e qytetit, për nderime. /Mediafokus.info