Fatmir Shurdhani falënderon institucionet komunale për punën e jashtëzakonshme kundër Covid-19

Menaxheri i Handikosit në Gjilan, Fatmir Shurdhani, ka thënë se kjo organizatë po solidarizohet me krejta mundësitë e tyre me institucionet komunale, për t’iu dalë në ndihmë personave me nevoja të veçanta, shkruan Mediafokus.info.

“Handikosi po mundohet që edhe në këtë situatë të jetë sa me pranë personave me aftësi të kufizuara. Sot ishim në vizitë në një familje qe kanë disa persona me aftësi të kufizuara, njëri prej antarëve të kësaj familje brenda tre muajve ka pasur dy intervenime kirurgjike. I ofruam një karrocë toaleti, një karrocë aktive dhe nesër do i dërgojmë edhe një shtrat elektrik dhe një dyshek anti dekubitar”, ka thënë Shurdhani për Mediafokus.info, derisa e ka falënderuar drejtorin e QKMF’së, Fejzulla Berisha, i cili në kohë rekorde e ka dërguar ekipin për trajtim të dekubitit.

Ai ka njoftuar se ditë më parë i kanë ofruar një shtrat hidraulik për ekipin e QKMF, i cili është vendosur në zonën kufitare, në Myçibabë.

“Me këtë rast, dua t’i falënderoj instutucionet tona lokale që janë duke e bërë një punë të jashtëzakonshme, duke qenë sa më afër qytetarëve, e sidomos atyre në nevojë. Handikosi po solidarizohet me mundësitë e veta që ka ne raport me instutucionet, në formë vullnetare, për ta tejkaluar sa më lehtë këtë pandemi”, ka thënë Shurdhani.

Në fund, menaxheri i Handikosit në Gjilan ka falënderuar Qendrën Operative Emergjente, e cila iu ka ofruar disa pako ushqimore për personat me nevoja të veçanta./Mediafokus.info/