Fillon anulimi i dasmave pas masave të reja të Qeverisë

Vendimi i ri i qeverisë së Kosovës për ashpërsimin e masave mbrojtëse ndaj pandemisë, shkaku i rritjes rapide të rasteve, do t`i dëmtojë shumë në veçanti bizneset hoteliere.

Kryetari i Odës së Hotelerisë dhe Turizmit, Hysen Sogojeva, ka thënë se pas këtij vendimi, ka filluar anulimi i dasmave të kontraktuara.

Ai shton se pas rritjes së rasteve, kanë respektuar vendimin, por nuk do të pranojnë asnjëherë mbyllje totale të gastronomisë.

“Fillimisht jemi dakorduar që dasmat të mbahen me një numër të kufizuar, por që dyfishimi i rasteve na ka vendosur para një akti të kryer dhe që kur pamë raste kaq shumë, atëherë vendimin e ministrit në parim u pajtuam, pasi mbi të gjitha është shëndeti. Qysh tani ju them që mbylljet totale nuk i lejojmë dhe sugjeroj që le të marrin masa sa të duan por mbylljen totale nuk e lejojmë”.

Sogojeva thekson që dëmet janë të mëdha pas anulimit të dasmave, por që e kanë pasur me patjetër pranimin e këtyre masave, raporton EO.

“E vërtetë që na ka dëmtuar mjaft shumë, por kur marrim parasysh një numër kaq i madh i rasteve, duhet të pajtohemi edhe me këtë situatë. Në bazë të kontakteve që kemi, ka filluar anulimi i dasmave”, theksoi tutje ai.

Tutje ai tha se gati 80% e dasmave kanë përfunduar, por që pjesa tjetër e mbetur do të shkaktojë humbje të mëdha.

“Pjesa më e madhe është bërë e dasmave, ku 80% e tyre janë përfunduar. Por prapë ka mbetur ky 20% që ka mbetur, ka humbje me mijëra euro dhe është keq për ata që janë përgatitur për dasmat, por që është dashur të pajtohemi me këtë situatë”, deklaroi Sogojeva.

Qeveria në mbledhjen e së mërkurës ka marrë vendim për anulimin e dasmave dhe ahengjeve, mbylljen e klubeve të natës, për gastronominë ka vendosur që të punohet deri në orën 22:30, do të angazhohen edhe mbi 1 000 persona staf shëndetëso e do të punohet edhe të shtunave në qendrat e vaksinimit.