Flet mjekja shqiptare në Kanada: Si të trajtoni virusin në kushtet e shtëpisë

Ende nuk ka një protokoll mjekimi për pacientët e infektuar me COVID-19. Por, sipas mjekes Juliana Gorja, në rastin e personave që ndiqen në kushte shtëpie, hidratimi, pushimi fizik dhe mendor, antipiretikët për uljen e temperaturës dhe vetizolimi efikas, janë standardi i trajtimit.

Në një intervistë dhënë për gazetën panorma.al, doktoresha e vë theksin në masat parandaluese, siç janë distancimi social, mbajtja e maskave dhe larja e shpeshtë e duarve. “Është shumë më e thjeshtë ta parandalosh këtë virus sesa ta mjekosh atë. Lufta e vërtetë e këtij virusi, fronti i parë i luftës, është në komunitet, në çdo shtëpi, te çdo individ. Spitali është fronti i fundit”, shton doktoresha.

Juliana Gorja, MD ÇFP, është mjeke që praktikon në Toronto, Kanada. Gorja ka mbaruar Fakultetin e Mjekësisë në Tiranë dhe specializim për Mjekësi Familje në Universitetin e Otava në Ontarion Veriore. Ajo ka ushtruar mjekësi për 15 vjet në Ontario dhe momentalisht punon në Toronto, ku u shërben mijëra pacientëve të klinikës së saj ambulatore komunitare.

Dua t’u them që të mos fokusohen te numrat, numrat janë numra që ndryshojnë përditë. Fokusin mbajeni te vetja dhe familja juaj. Nëse arrini të mbani të shëndetshëm veten dhe familjen tuaj, duke zbatuar këshillat e mjekëve dhe të Shëndetit Publik, ju e keni bërë 0 numrin e të infektuarve në shtëpinë tuaj.

Sikur çdo familje e tërë pallatit të jetë kështu, e keni bërë 0 numrin e të infektuarve në pallat. Sikur tërë pallatet e lagjes ta kenë 0, atëherë tërë lagjja e mandej tërë qyteti e ka 0. Dhe kështu me radhë, tërë vendi e ka 0. Pra, mos u shqetësoni për numrat jashtë. Shqetësohuni vetëm për numrin brenda shtëpisë tuaj. Mbajeni 0 këtë numër dhe e keni kryer detyrën tuaj.

A ka shqiptarë të infektuar?

Patjetër që ka. Me kalimin e kohës do dalin dhe të dhënat e distiluara për grupet e ndryshme etnike dhe efektet e përkatësive të ndryshme gjenetike në sëmundshmëri e vdekshmëri.

Si kudo, ekonomia ka ndaluar, me përjashtim të shërbimeve esenciale. Kafenetë e restorantet janë mbyllur. Ato që janë hapur ofrojnë vetëm shitje vaktesh që klienti i merr me vete. Njerëzit janë në distancim të theksuar social. Ata që kanë testuar pozitivë ose dyshohen për COVID-19, menaxhohen në shtëpitë e tyre. Rastet e rënda shtrohen në spital.

Fatmirësisht, këto masa kanë dhënë efektin e tyre, duke u lënë mundësi spitaleve ta përballojnë shumë mirë situatën deri tani.

Lidhur me trajtimin e të infektuarve, cilat janë medikamentet që po aplikohen?

Në komunitet, të infektuarit nuk kanë nevojë për mjekime specifike. Si për çdo sëmundje virale, hidratimi, pushimi fizik dhe mendor, antipiretikët për uljen e temperaturës dhe vetizolimi efikas, janë standardi i trajtimit. Për sa u përket të sëmurëve në spitale, kuptohet që trajtimi kryesor i tyre është stabilizimi i parametrave vitalë me oksigjen, lëngje intravenoze dhe mjekime të ndryshme në këtë drejtim. E vërteta është që nuk ka kurë për COVID-19.

Është shumë më e thjeshtë ta parandalosh këtë virus sesa ta mjekosh atë. Lufta e vërtetë e këtij virusi, fronti i parë i luftës, është në komunitet, në çdo shtëpi, te çdo individ. Spitali është fronti i fundit.

Mendoni që me rritjen e temperaturave do të bjerë edhe virulenca e këtij virusi?

Fakt është që ky virus është përhapur edhe në vende të nxehta apo edhe në hemisferën jugore. Prandaj mendoj që temperatura e lartë nuk do ndikojë në të.

A ka të dhëna mbi ndikimin që mund të ketë vaksina e tuberkulozit?

Studime të bëra vitet e fundit kanë treguar që vaksina e TB ka riprogramuar qelizat imunitare për të luftuar infeksione të tjera, veç TB. Dhe nën këtë presupozim, tani vonë, kanë nisur dhe studimet e eksperimentimet për të parë a ka efekt kjo vaksinë në luftën kundër virusit COVID-19. Natyrisht, do kohë derisa të studiohet efekti dhe të shihet a mund të ekstrapolohet rezultati i marrë në një kampion njerëzish, në popullatë të gjerë. Deri atëherë, masa mbrojtëse më e mirë është distancimi social, larja e shpeshtë dhe e gjatë e duarve, dhe veshja e maskave në publik.

Çfarë do të këshillonit për të parandaluar infektimin me COVID-19?

Prandaj, këshilla ime është të vishni maska, qoftë dhe të bëra vetë, kur dilni jashtë, në dyqan a farmaci. Maska nuk mbron personin që e vesh atë, por mbron ata rreth tij, sepse ul numrin e pikave të pështymës që mbartin virusin, të cilat bien mbi çdo objekt që rrethon personin në një rreze prej 2 metrash. Maska e veshur mund të jetë e bërë vetë, me dy shtresa cope dhe mundësisht një shtresë filtri brenda, që mund të ndërrohet.

Dhe mos u takoni me asnjë njeri nëse nuk jetoni nën një çati me të.

Gjëja tjetër që do këshilloja, është menaxhimi i stresit. Ajo që shkakton vdekjen, nuk është virusi, është përgjigjja jonë imunitare, që ka për qëllim të vrasë virusin, por në proces e sipër, vret dhe njeriun.

Vetizolimi, duke qenë i lehtë për njerëzit me disa dhoma në shtëpi, ku i sëmuri mund të rrijë në një dhomë vetëm e ku mund të ketë banjën e vet private, është shumë i vështirë për njerëzit që nuk e kanë atë mundësi dhe jetojnë shumë vetë në një ambient të vogël.

Kështu, këshilla ime është për ata që nuk kanë mundësi të izolohen në një dhomë të tyren është që duhet ndarë dhoma me një çarçaf ose plastmase nga tavani në dysheme, në dy pjesë, njëra është pjesa ku rri i infektuari, tjetra është pjesa ku rrinë njerëzit e tjerë të shtëpisë.

Dhe askush nuk hyn e del në zonën e infektuar. I infektuari të mbajë maskë ose një shall rreth gojës e hundës gjatë tërë kohës. Për banjën, të mbahet një shishe spërkatëse, ku të jenë përzierë një kupë solucion klorine, në 5 kupa ujë dhe të sprucohen gjithë sipërfaqet e tualetit, lavamanit, rubinetet, pasi i infektuari ta ketë përdorur atë. Rrobat e rrugicat, me të cilat ka qenë në kontakt i sëmuri, të mos shkunden. Rrobat të lahen në ujë të nxehtë me sapun dhe gjërat që nuk lahen të nxirren në diell. Rrezet ultraviolet e shkatërrojnë virusin. Virusin, pavarësisht se mund ta kesh marrë në duar a në rroba, nuk duhet pasur frikë. Virusi ka nevojë për ne. Ai nuk replikohet dot as në duart tona e as në rrobat tona. Virusi ka nevojë për mukozën e hundës e të gojës tonë e për konjunktivën e syve tanë.

Për një periudhë kohe nuk do japim dorën apo përqafojmë shokët e miqtë. Do i bëjmë pazaret apo transaksionet e përditshme në distanca 2 metër nga të tjerët. Do dalim jashtë me maska. Do t’i lajmë duart sikur të jemi kirurgë. Nuk do t’i bëjmë dasmat e vdekjet ashtu siç e kemi zakon.

Sa më shumë të përgjegjshëm të tregohemi, aq më shpejt do dalim nga kjo situatë.