Fotografi e shkrepur para 70 vitesh ku shihen nxënës shqiptarë të zbathur
Kjo fotografi e rrallë ka mbijetuar tre çerek shekulli, për të dalë në dritë.
Është shkrepur nga ndonjë fotograf anonim, pas përfundimit të vitit të parë shkollor të pasluftës më 1944-1945, me një paralele të kombinuar fëmijësh prej 7-12 vjeç të klasave II-IV, PËR TË SHËNUAR NJË HISTORI TË LAVDISHME TË ARSIMIT SHQIP NË TETOVË.
Kush ka mund të pandeh se në mes të fotografisë është mësuesi i dashur nga Nerashti, XHEVAHIR SHAQIRI…! (profesor në Gjimnazin e Tetovës dhe prof. në Universitetin e Prishtinës).
Kush ka mund të pandeh se kjo shkollë ka qenë në objektin përcjellës të XHAMISË ESKI (Eski-xhami) në Tetovë, i njohur si Mejtep…!
Kush ka mund të pandeh se nxënësi i këtij mësuesi legjendar është BEDRI MUSTAFA, tashmë mbi 90 vjeç…! (në rreshtin e parë-poshtë, i dyti nga e majta dhe në foto me tre shokë të klasës, në mes), i cili bëhet një mjeshtër i përkryer i rrobaqepësisë në Tetovë, pasi që kryen katër klasat e para dhe katër të tjera të shkollimit për të rritur.
Kush ka mund të pandeh se vogëlushët e pasluftës, asokohe do të dilnin në foto me plisa të bardhë…!
Shihini këta nxënës, në mesin e të cilëve ka edhe këmbëzbathur, por janë në vrap për dijen…!
Aty janë shokët e fëmijërisë: ABDULLAHU, ZEQIRIJAI (arsimtar i historisë), MUSTAFA, BYRHANI…
Sa kujtim i bukur, i papërsëritshëm…! Shumë sish i gllabëroi shpërngulja për në Turqi.
Kushedi edhe sa persona të tjerë i mban strukur në gji, të fshehur, kjo foto jo plotësisht e deshifruar, për t’i gëzuar edhe ndonjë tjetër nga trashëgimtarët…!
BEDRI EF. MUSTAFA, njëri nga tetovarët më të vjetër, dëshmitar i gjallë, i cili ishte viktimë e politikave të perënduara, u detyrua të braktisë shtëpinë e tij prej 1.600 metrash katrorë, në pjesën lindore të sheshit të qytetit (1975), për t’u ndërtuar POSTA E RE dhe për të bërë tetovarët që të kenë një “alo” më të lehtë.
Duke e përkryer mjeshtërinë e rrobaqepësisë, ai pranohet si shef i sektorit të kontrollit në repartin e Konfeksionit “Teteks”, rrobat e të cilit, të modës së fundit, depërtonin deri në SHBA dhe shtetet e Evropës.
Atij i kujtohet provimi për rrobaqepësi, ku në mesin e katër mjeshtërve, kishte një anëtar nga jashtë dhe ky ishte pikërisht kryetari i komunës së Tetovës (K. Tulevski), i cili e kishte pyetur, për të marrë diplomë rrobaqepësie, për sistemin politik-kushtetues të Jugosllavisë së atëhershme…! (Ismail Arsllani)


