Fotografia emblematike e luftës në Kosovë, flet personazhi i saj

Fotografia e një burri nga qyteti i Mitrovicës që tregon imazhin e dy fëmijëve të tij që mendonte se ishin vrarë nga serbët, është njëra nga pamjet më të njohura të luftës në Kosovë.

Këtë fotografi e kishte shkrepur fotografi amerikan Peter Turnley.

Në një intervistë me gazetaren Syzana Hajradini në emisionin #Gjesi, Xaja Mustafa tregoi se si në atë kishte qenë në burg dhe forcat serbe i thanë që fëmijët ia kanë vrarë.

Edhe pse zemra iu thye, ai u mundua që pavarësisht dhunës së madhe që ushtruan mbi të, t’i ruajë dy fotografitë e fëmijëve të tij që ua kishte bërë për pasaportë.

Ndërkaq sot, 22 vite pas luftës, në 13 vjetorin e pavarësisë, ai rrëfeu që është tejet i lumtur dhe është bërë gjysh.

“Jam i lumtur. Sot djali i ka 31 vjet, ndërkaq vajza 26 vjet. Por e kam edhe një fëmijë tjetër që atë kohë ka qenë 6 muaj. Jam bërë gjysh, dhe jam gjyshi më i lumtur i botës”, tha ndër të tjera Mustafa në mes të emocioneve.

55 vjeçari, sot punon si punëtor teknik në shkollën fillore “Migjeni”, në Mitrovicë.