Gashi: VV po rrenë, Haki Rugova s’është hetuar nga Task-Forca

Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, tha se Haki Rugova nuk është hetuar nga task-forca antikorrupsion, por nga Prokuroria Themelore në Pejë.

Ai i ka quajtur argumente të rrejshme ato të Lëvizjes Vetëvendosje, se shuarja e task-forcës ka qenë hakmarrje e LDK-së.

“Haki Rugova nuk ka lidhje me task-forcën speciale. Ai është intervistuar dhe është kërkuar arrestimi i tij nga Prokuroria Themelore në Pejë. Lidhje nuk ka me task-forcën, hiç. Kështu që ky argument është i rrejshëm, nuk është mirë me rrejt këtu”, ka deklaruar ai, transmeton rtk.

Gashi gjatë interpelancës të kërkuar nga Lëvizja Vetëvendosje për shuarjen e task-forcës anti-korrupsion në Policinë e Kosovës, tha se ka qenë instrument i rrezikshëm, dhe që sipas tij nuk duhet të ekzistojë, meqë vet kryeministri emëron 30 policë hetues dhe prokurorët.