Gazetarja që i mbijetoi tritolit, e humbi betejën me virusin

Ka ndërruar jetë nga koronavirusi gazetarja dhe shkrimtarja Zenepe Luka, e cila ishte shtruar prej disa ditësh në spital.

Zenepe Luka themeloi dhe drejtoi fondacionin “Nermin Vlora Falasci”, si dhe shoqatën “Albano e Romina”. Ajo ështe autore e dhjetëra librave, ndërsa ka shumë vite karrierë si gazetare.

Luka lindi në Librazhd, ku mori edhe arësimin tetëvjeçar. Pasi përfundoi shkollën e mesme “Luigj Gurakuqi” në Elbasan, kreu studimet e larta në Fakultetin e Shkencave Politiko-Juridike në Tiranë dhe në maj të vitit 1973, u diplomua gazetare.

Në vitin 1998, gazetares iu vu tritol në shtëpi, me qëllimin për ta asgjësuar familjen e saj, ku sipas saj sulmi ndodhi vetëm se ajo raportonte atë që ndodhte ne realitet.

“Një ngjarje që mbahet mënd në karrierën e saj është venndosja e tritolit në banesë më 10 maj të vitit 1998., ku u shkatërrua banesa dhe u plagosën dy fëmijët. Zenepe Luka është vlerësuar nga këngëtari i madh Italian Al Bano Karrisi,që i ka akorduar Premion” Zenepe Luka është Oriana Falasci shqiptare”. 1 vit më parë është vlerësuar nga Unioni i Gazetarëve me çmimin “Petro Marko””, thuhet në një reagim të Unionin të Gazetarëve.

Ndërsa kryebashkiaku i Vlorës shkruan se “Ende nuk po e besoj që një grua e fortë dhe energjike si Zenepe Luka iku nga kjo jetë, fare pa u ankuar. Covidi nuk e kurseu as atë, në shumë pak ditë! Me Zenepen kishim bashkëpunuar kaq e kaq herë, dhe sa projekte të tjera kishim ende për të bërë, por virusi është më i fortë se planet e dëshirat tona! Nuk do të harrohesh Zenepe, as ti dhe as pasioni yt për të bërë gjëra të bukura në qytet! Prehu në paqe mikesh e shtrenjtë!”.