Gërvalla “e çon qiell” Faton Pecin: Do të mbahet mend për luftimin e krimit dhe korrupsionit
Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka mbrojtur figurën e kryetarit të Mitrovicës, Faton Peci, duke e cilësuar atë si një nga ministrat më të guximshëm të Qeverisë Kurti II.
Gërvalla, duke iu referuar kritikave ndaj Pecit, ka thënë se ai do të mbahet mend për transformimin e bujqësisë dhe luftimin e krimit e korrupsionit.
“Për ta ulur pak nivelin e dezinformimit dhe propagandës. Ministri Faton Peci, ish-ministri i Bujqësisë, kryetari i sotëm i Mitrovicës, do të mbahet mend për transformimin e bujqësisë, si një prej ministrave për luftimin e pakompromis të krimit dhe korrupsionit, dhe do të mbahet mend si një prej ministrave më të guximshëm të Qeverisë Kurti II”, ka deklaruar Gërvalla.
Ajo ka thënë se deklaratat në Kuvend duhet të përputhen edhe me atë që, sipas saj, qytetarët thonë për Pecin.
“E çka flitet në këtë sallë duhet të jetë edhe në përputhje me atë çka dëgjonim nga familjarët, nga fqinjët edhe nga qytetarët e Republikës sonë, të cilët çdo ditë dhe në çdo vend do t’ia përsërisin pikërisht këtë gjë tashmë”, ka thënë ajo.

