Gjilani ka hyrë moti në zonën e kuqe sa i përket varrezave – nuk ka më asnjë vend për asnjë të vdekur

Ardian Azemi ka alarmuar mungesën e hapësirës në varrezat e qytetit në Gjilan. “Gjilani ka hyrë moti në zonën e kuqe…Nuk ka më asnjë vend për asnjë të vdekur”, ka shkruar i në profilin e tij.

Gjilani ka hyrë moti në zonën e kuqe sa i përket varrezave të qytetit. Nuk ka më vend. Nuk ka më asnjë vend për asnjë të vdekur.

Po vjen dita kur njeriu, pasi e kryen betejën e fundit me jetën, nuk gjen as një copë tokë ku të prehet me dinjitet.

Varrezat janë pasqyra e respektit që një shoqëri ka për njerëzit e saj.

Nëse nuk dimë t’i nderojmë të vdekurit, vështirë se dimë t’i respektojmë edhe të gjallët.

Sot njerëzit po varrosen si të munden. Mirëmbajtja është zero, ndërsa mungesa e hapësirës është bërë alarm.

Nuk mund të vazhdohet me “hiq një e shtrij një tjetër”.

Kjo është poshtërsi për pushtetin dhe për të gjithë ne. Kjo është pasojë e neglizhencës.

Kjo s’është politikë. Është temë njerëzore. Vdekja nuk pyet për parti, pushtet apo opozitë. Ajo troket në derën e secilit dhe, kur të vijë ai çast, secili meriton të përcillet me respekt.

Prandaj, zgjidhja duhet të nisë sot. Nesër është vonë. Është shumë vonë.

Asnjë vend nuk është më në varrezat e qytetit të Gjilanit – përfundon Azemi.