Gjykata merr vendim për ekzaminim mjekësor të kryetarit të Komunës

Gjykatësja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Violeta Namani, ka marrë vendim që të bëhet ekzaminimi mjekësor i kryetarit të Komunës së Malishevës, Ragip Begaj, për të parë nëse i njëjti është në gjendje ta përcjellë gjykimin për rastin ku ai akuzohet për korrupsion, apo jo.

Një vendim i tillë u mor pas propozimit të mbrojtësit të të akuzuarit, avokatit Emrush Kastrati, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në shqyrtimin fillestar që ishte paraparë të mbahej të martën, avokati Kastrati kërkoi nga gjykata që për të mbrojturin e tij të bëhet një ekzaminim mjekësor, pasi sipas tij, i njëjti nuk është në gjendje të mirë shëndetësore për ta përcjellë shqyrtimin gjyqësor.

Këtë propozim nuk e kundërshtoi prokurori Naim Abazi. Ai kërkoi nga gjykata, që në pajtim me nenin 310 të Kodit të Procedurës Penale, ta vërtetoj gjendjen e tani të akuzuarit dhe faktin nëse rrethanat e pretenduara nga mbrojtja janë paraqitur që pas kryerjes së veprës penale.

Pas kësaj, gjykatësja Namani me aktvendim e ka aprovuar propozimin e mbrojtjes, me arsyetimin se është i bazuar dhe gjen mbështetje në provat e dorëzuara.

Gjykatësja Namani deklaroi se gjykata do të urdhëroj ekzaminim mjekësor për të akuzuarin Begaj, për ta vërtetuar faktin nëse i njëjti është në gjendje për ndjekur gjykimin apo jo.

Lidhur me këtë rast, seanca e shqyrtimit fillestar është shtyrë në afat të pacaktuar.

Ragip Begaj po dyshohet për kryerjen e veprës penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.