Gjykata në Serbi nuk është informuar për varrezën masive afër Rashkës

Gjykatës së Lartë në Beograd nuk i është dorëzuar njoftimi për gjetjen e mbetjeve mortore më 16 nëntor në afërsi të Rashkës në Serbi, të cilat dyshohet se i përkasin viktimave shqiptare nga Kosova, thuhet në një përgjigje të kësaj gjykate dhënë Radios Evropa e Lirë.

E pyetur se a është njoftuar gjykata me këtë rast dhe cila është procedura e mëtutjeshme që do të ndërmarrë ky institucion në këtë rast, nga kjo gjykatë thanë se:

“Prokuroria e Krimeve të Luftës nuk ka paraqitur ndonjë kërkesë në Gjykatën e Lartë në Beograd për të urdhëruar paraburgim ndaj ndonjë personi të akuzuar për kryerjen e veprimeve për të cilat po kërkoni informacion, as nuk ka paraqitur ndonjë aktakuzë në Gjykatë, në Dhomën e Krimeve të Luftës në Beograd gjatë vitit 2020, për shkak të dyshimit të arsyeshëm se ndonjë person ka kryer një krim në lokacionin Kizhevak”.

Në Prokurorinë e Krimeve të Luftës në Beograd, paraprakisht kanë thënë për REL se janë të njoftuar se në një vend afër Rashkës në Serbi janë gjetur mbetjet mortore, për të cilët dyshohet se janë të viktimave shqiptare nga Kosova.

“Procedura kalon në juridiksionin e Gjykatës së Lartë në Beograd, përkatësisht, Departamenti i krimeve të luftës “, thanë nga Prokuroria.