Gjyshit, që nuk ia dimë trupin e varrin!

Eh koha e vuajtjeve për disa familje shqiptare. Mjerim dhe kohë luftrash sa në Kikën legjendare më 1944, sa në Malet e Ushit nga Breznica, e sa më e rënda dhe më e përgjakshmja, lufta e Gjilanit.

Shkruan: Xhemush Biçku

Të mjerët ne që zahmeti e kijameti, që thonë pleqtë, nuk po na hiqet edhe sot. Për dikend, jo për të gjithë.

Nejse, edhe unë mos të shkoj larg dhe mos të hy fell.

Sot shkova te vendi i pushkatimit të gjyshit tim, prapa ish-fabrikës së duhanit në Gjilan.

Aty edhe tash pash një gropë, që e mendoja se aty i pushkatuan dhe i djegën trupat e mirë dhe të njomë të atyre afër 90 shqiptarëve.

Gjyshi me vete kishte pasur në xhepa, vetëm tespit prej druri, që i kishte punuar me dorë të vet.

Kur e thirrën emrin e tij për pushkatim, i la amanet te ata shokët e gjallë dhe i tha: selam tespit nga Hogoshti.

Ata tespih i ruaj unë edhe tash me shumë kujdes, ashtu si i ruajti babai im gjithë jetën…

Mendimet më shkonin vërdall gjithandej, duke i menduar momentet më të rënda të tyre, momentet e fundit të jetës si një 53 vjeçar që e kishte lënë gruan me 3 djemë dhe 3 vajza në shtëpi të ndërtuar vet në Hogosht, më 1929.

Babai pranoi të pushkatohet në vend të djalit të tij Bajramit.

U lind 1892 – 06.01.1945

Adil Xhelil Biçku u lind më 1892 në Hogosht. Eshtë martuar nga Topanica me Hyrije Morina. Këta lanë pas veti 3 djemë: Bajramin, Xhelilin dhe Hakiun dhe 3 vajzat Xhemilja, Rabija dhe Xhyla, që deri këtë vit jemi mbi 100 anëtarë.

E mallkuar ishte data e 4 janarit, kur e morën në shtëpi gjyshin tonë, por edhe më e kobshme ishte nata e 6 janarit 1945, atëherë në acarin dhe të ftohtin më të madh, pushkatuan gjyshin tonë, por edhe shumë shqiptarë, vëllezër nga Hogoshti dhe Anamorava.

Babai, Adili, shkoi për të vdekur në vend të djalit të tij të madh Bajramit. Këta u pushkatuan në natën më të gëzuar të serbëve, për bozhiq…

Në Hogosht i  morën qetnikët partizanë  dhe i pushkatuan gjyshin tonë me disa bashkëvendas si, Taip Agaj,  Halil kastratin  që pushkatuan po këtë ditë etj.

Brenda kësaj nate, i kanë pushkatuar mbi 80 shqiptarë në Gjilan afër fabrikës së duhanit, pastaj i kanë  djegur kufomat e tyre dhe familjet kurrë  nuk e kanë  ditur se ku i kanë varrosur trupat e tyre.

Këtë vit, në janar, bëhen 75 vite pa gjyshin tonë, që ishte në moshën 53 vjeqare kur e pushkatuan, dhe varri me eshtra edhe sot e kësaj dite nuk u gjend kurrë. Gjyshja jonë Hyrija  ka qenë e lindur më 1890 dhe ka vdekur më 1962, është  varrosur te varrezat e vjetra apo te babaniku siç i themi ne në Hogosht.

Ne, nipat dhe mbesat, e kujtojmë gjyshin tonë, duke menduar se ka qenë kështu e ashtu….

Unë nuk pata fatin të rri në prehrin e tij dhe ta dëgjoj, ta thërras apo përqafojë. As gjyshin e dajëve e gjyshin as në familje, sepse  jam i lindur më vonë.

Gjyshi im ishte edhe  luftëtar në luftën  Kikes më 1944. Sa ishte gjallë, merrej me përpunimin e drurit apo profesion e kishte zdrukthtarinë.

Nga pasardhësit e gjyshit, tash  jetojnë në Hogosht, Gjilan, Dardanë, Prishtinë dhe nëpër  vende të ndryshme botërore.

Ne, familja jonë, tash që  jetojmë  në harmoni  dhe dashuri vëllazërore, gjithmonë  mbesim  me  shpresën se Allahu Fuqiplotë do ta shpërblejë  gjyshin tonë me xhennet./Enkas për MediaFokus/

(Autori është imam në fshatin Hogosht. Përpos aspektit fetar, në Kamenicë njihet si humanist i madh, ku me iniciativën e tij, disa familje janë bërë me kulm mbi kokë)