Gruda: LVV s’e bën Kuvendin as më 7 shtator, duan Presidentin ose zgjedhje kur u konvenon atyre

Deputeti i PDK-së, Përparim Gruda tha se Lëvizja Vetëvendosje e ka shkelur Kushtetutën dhe interpretimet e Gjykatës Kushtetuese, përveç shkeljes së afatit për konstituimin e Kuvendit.

Në një konferencë për media në hollin e Kuvendit, Gruda tha se LVV-ja nuk do ta konstituojë Kuvendin as më 7 shtator.

Zonja Gërvalla tha dje se duhen 30 ditë nga nisja e sencës. Gjykata Kushtetuese ka thënë jo nga nisja, nga certifikimi i zgjedhjeve.

Qartazi, nga certifikimi i zgjedhjeve, 30 ditë, jo nga mbajtja e seancës, tha ai.

“Ajo tha që duhet të themelohet më 7 shtator. Mbajeni pak për fjale, mbamëni edhe mua për fjale, që VV-ja nuk e bën as më 7 shtator Kuvendin”, tha Gruda.

Ai tha se LVV-ja nuk dëshiron ta konstituojë Kuvendin, “sepse i ka dy qëllime politike” – ta mbajë Kosovën të bllokuar deri ditën kur pretendon ta marrë pushtetin absolut. Nëse në këtë rrugë nuk arrin ta marrë Presidentin, ata do ta çojnë vendin në zgjedhje në një datë që u konvenon atyre, tha Gruda.