Shqiptari nga Ulqini shpëton nga mbytja një 70-vjeçar në New Jersey
Një shqiptar në New Jersey është bërë protagonist i një akti heroik, pasi ndërhyri për të shpëtuar një 70-vjeçar që rrezikonte të mbytej në ujërat e oqeanit.
Në një intervistë për Euronews Albania, Xhemo Lanica ka rrëfyer momentet e vështira gjatë ndërhyrjes dhe mënyrën se si, së bashku me disa shpëtimtarë të plazhit, arritën ta nxirrnin në breg personin që ndodhej në rrezik.
Lanica, me origjinë nga Ulqini dhe prej shtatë vitesh emigrant në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, tregon se nuk hezitoi kur pa se jeta e një personi ishte në rrezik.
I rritur pranë detit, ai thotë se përvoja e tij me ujërat e detit e ndihmoi gjatë ndërhyrjes.
Megjithatë, situata nuk ishte aspak e lehtë, pasi rrymat e forta të oqeanit dhe pesha e personit e vështirësuan ndjeshëm përpjekjen për ta nxjerrë atë në një zonë të sigurt.
Pas pak çastesh, Lanicës iu bashkuan edhe disa shpëtimtarë që punojnë në plazh.
Të koordinuar me njëri-tjetrin, ata vazhduan përpjekjet për ta nxjerrë 70-vjeçarin nga uji.
Pas rreth 15 minutash përpjekje, personi u nxor në breg, duke i shpëtuar një situate që mund të kishte përfunduar tragjikisht.
Veprimi i Lanicës është vlerësuar si një shembull i solidaritetit dhe humanizmit, duke dëshmuar se në momente të vështira, ndihma ndaj tjetrit nuk njeh kufij./Albinfo

