Gurët në idhëz, çka i shkakton dhe si duhet të mbroheni

Dr. Anila Kalleshi – dietologe klinike

Gurët e tëmthit janë depozita të forta që nganjëherë mund të formohen brenda fshikëzës së tëmthit. Lëngu, i quajtur bilë (lëngu i tëmthit), ndihmon në tretjen e yndyrave të ushqimit.

Pse rrudhen gishtërinjtë tuaj pasi të qëndroni nën ujë për një kohë?

Bila prodhohet në mëlçi, pastaj depozitohet në fshikëzën e tëmthit derisa t’i nevojitet trupit për tretjen e yndyrave. Në këtë kohë fshikëza bën kontraksione të cilat shtyjnë bilën në një tub të quajtur duktusi biliar i përbashkët prej të cilit bila kalon në zorrën e hollë duke ndihmuar në tretjen e ushqimeve.

Bila përmban ujë, kolesterol, yndyrna, kripëra biliare, proteina dhe bilirubinë. Kripërat biliare shpërbejnë yndyrnat, ndërsa bilirubina i jep feçeve (jashtëqitjes), ngjyrën e verdhë. Në qoftë se lëngjet biliare përmbajnë shumë kolesterol, kripëra biliare apo bilirubinë, në situata të caktuara formohen gurët.

Shumica e gurëve të tëmthit (80%) përbëhen nga kolesteroli. Normalisht, acidet në bark të zbërthejnë kolesterolin mirëpo një dietë me yndyrë të lartë mund të çojë mëlçinë në prodhimin e kolesterolit shtesë që acidet nuk mund ta zbërthejnë.

Kjo çon te ngrirja e kolesterolit të tepërt. Gurët e tëmthit gjithashtu mund të formohen nëse fshikëza e tëmthit nuk zbrazet plotësisht. Ekzistojnë 3 tipe gurësh në tëmth, gurë kolesteroli dhe gurë pigmenti dhe gurët e përzierë.

Gurët e kolesterolit janë zakonisht me ngjyrë të verdhë në jeshile dhe përbëhen kryesisht nga kolesterol i ngurtësuar. 80% e gurëve të tëmthit janë të kësaj natyre. Gurët e pigmentit janë të vegjël, me ngjyrë të errët, të përbërë nga bilirubina.

Cilët janë faktorët favorizues që sjellin krijimin gurëve në tëmth Obeziteti – Obeziteti është një faktor rreziku për të krijuar gurë, veçanërisht tek gratë. Një studim i gjerë ka treguar se të qenit qoftë lehtësisht mbi peshë rrit rrezikun e krijimit të gurëve në tëmth. Kjo ndodh sepse obeziteti mund të reduktojë sasinë e kripërave biliare në bilë (lëngun e tëmthit) duke çuar në përqendrim më të lartë të kolesterolit në të. Obeziteti gjithashtu ul aftësinë e fshikëzës së tëmthit për t’u zbrazur.

Estrogjeni (hormon femëror) – Sasia e shtuar e estrogjenit gjatë shtatzënisë, terapia zëvendësuese me hormone dhe marrja e kontraceptivëve oralë, shton nivelin e kolesterolit në bilë dhe pakëson lëvizjet e fshikëzës së tëmthit. Të dy këta faktorë çojnë në formimin e gurëve.

Gjinia – Gratë e moshës 20 deri 60 vjeç janë dy herë më shumë të favorizuara për të mbledhur gurë në tëmth sesa burrat.
Mosha- Njerëzit mbi moshën 60 vjeç janë më të favorizuar për të mbledhur gurë në tëmth sesa të rinjtë.
Mjekimet për të ulur nivelin e kolesterolit – Medikamentet që përdoren për të ulur nivelin e kolesterolit në gjak rrisin sasinë e kolesterolit që sekretohet (derdhet), në bilë (lëngun e tëmthit). Si pasojë rritet rreziku për formimin e gurëve të tëmthit.

Diabeti – Në përgjithësi njerëzit që vuajnë nga diabeti kanë nivele të larta të acideve yndyrore të quajtura trigliceride. Këto lloj acidesh yndyrore rrisin rrezikun e formimit të gurëve të tëmthit.
Humbja e menjëhershme në peshë – Ndërsa trupi shpërbën yndyrnat gjatë rënies së menjëhershme në peshë, mëlçia sekreton (derdh) më shumë kolesterol në bilë (lëngun e tëmthit) gjë që çon në formimin e gurëve.

Mosngrënia (agjerimi), ul lëvizshmërinë e fshikëzës së tëmthit duke shkaktuar mbipërqëndrim të bilës me kolesterol, gjë që çon në formimin e gurëve.

Gurët në tëmth zakonisht nuk shoqërohen me simptoma të dukshme, pra pacienti mund të ketë gurë në tëmth dhe të mos e kuptojë dhe këto quhen “gurë të heshtur”, por, në një moment të caktuar mund të ndodhë që gurët të bllokojnë rrjedhën e lëngut biliar duke çuar kështu në irritim të fshikëzës së urinës (kolecistit akut) ose pankreasit (pakreatit akut).

Në të tilla raste pacientët përjetojnë simptoma të tipit: Dhimbje e papritur dhe shumë e fortë abdominale (barku). Zverdhje të lëkurës dhe bebes së syve (të bardhës së syrit). Të përziera & të vjella. Dhimbje në shpinë, në zonën midis shpatullave.

Zakonisht trajtimi më i mirë i mundshëm i rekomanduar nga mjekët në të tilla raste është ai i heqjes së tëmthit në rrugë kirurgjikale. Kirurgjia mund të realizohet në rrugë laparoskopike (të mbyllur) ose laparotomike (të hapur), proçedura këto që kryhen të dyja nën efektin e anestezisë gjenerale.

Për të parandaluar formimin e gurëve në tëmth është e rëndësishme të ruhet një peshë trupore normale, të konsumohet sa më shumë ujë ose lëngje, të zbatohet një regjim ushqimor i balancuar dhe të bëhen rregullisht ushtrime fizike. Gjithashtu, është e nevojshme të tregohet kujdes me humbjen e menjëhershme të peshës.