Gyner Muja: Ku ishin biznesmenët, politikanët e VIP’at, kur tërmeti i vitit 2002 ma mori babain?

Kameramani i RTV 21, Gyner Muja, të cilit tërmeti i vitit 2002 në Gjilan ia mori babain, si viktima e vetme e fatkeqësisë natyrore, ka shkruar një status emocional në rrjetin social Facebook, përmes të cilit pyet se ku ishin biznesmenët, politikanët e VIP’at, në vitin e kobshëm për këtë komunë, e në veçanti për familjen e tij.

Ai po i gëzohet solidaritetit të kosovarëve pas tërmetit në Shqipëri, por thumbon të sipërpërmendurit se këtë po e bëjnë më shumë për famë.

“Ndihmat po vazhdojnë çdo ditë, çdo moment dhe pa asnjë dyshim – bravo. Mirëpo, mund t’ju pyes juve, biznesmenë, politikanë, VIP-a, këngëtarë etj., se ku ishit në vitin 2002 kur Gjilani u përfshi nga tërmeti? Sa i dolët në ndihmë vendit dhe qytetarëve tuaj. Nuk keni pasë nevojë me pagu as taksën prej 5 eurove, as me shpenzu derivate për furgona, madje as me kalu ndonjë kufi”, ka shkruar Muja.

Ja postimi i tij i plotë:

“I gëzuar apo i hidhëruar?

Tërmeti dikur në Kosovë e tani në Shqipëri. Nuk jam i sigurt se është koha adekuate të shkruaj apo jo, por i bindur në mirëkuptimin tuaj për të besuar se në diçka të tillë kam kaluar dhe unë.

I kënaqur, madje i përlotur nga gëzimi me atë që po e shohë këtë ditë popullin tim të organizuar në maksimum për t’i dalë në ndihmë popullit në Shqipëri, të prekur nga tërmeti që ndodhi pak ditë më parë në Durrës.

I mërzitur shumë me jetët që mori ky tërmet i kobshëm, madje duke shuar edhe familje e duke shkatërruar gjithçka që kishin para vetes.

Ndihmat po vazhdojnë çdo ditë, çdo moment dhe pa asnjë dyshim  – bravo. Mirëpo, mund t’ju pyes juve, biznesmenë, politikanë, VIP-a, këngëtarë etj., se ku ishit në vitin 2002 kur Gjilani u përfshi nga tërmeti? Sa i dolët në ndihmë vendit dhe qytetarëve tuaj. Nuk keni pasë nevojë me pagu as taksën prej 5 eurove, as me shpenzu derivate për furgona, madje as me kalu ndonjë kufi

Për ju që keni harruar, në tërmetin e vitit 2002, ishte vetëm një viktimë (BABI IM). Më falni, ku ishit ju? Apo ndoshta atëherë nuk ekzistonte ‘Like’, ‘follow’, ‘sponsored’, Facebook e Instagram për t’i bërë marketing vetes.

Faleminderit që falë ‘ndihmes’ tuaj unë mbeta në mes të dy dëshirave – SHKOLLIM APO PUNË. Faleminderit për ‘ndihmen’ tuaj, që unë, në vend se të shkollohesha e të mbaja mendjen te mësimi, m’u desh të kujdesesha për kameren time që mbaja nën bankë, pasi që pas mësimit të shkoja në punë.

Faleminderit edhe atyre që përdoren foton time, ulur në lagjen time, kur isha duke pritur të dërgoja Babin tim për në varreza, e ata organizuan koncert bamiresie për familjen time. Por, në fund, as ata e as ato para nuk i kemi parë kurrë.

PER FUND, VAZHDONI NDIHMONI, E BASHKË ME JU DHE UNË. E MOS HARRONI SE NË SHQIPËRI ISHIN EDHE DY DJEM NGA GJILANI QE U VARROSEN SOT”.