“Hajde merre njo o kushë se te unë dy i kanë vnu” – loja me numrat e shtëpive në Gjilan
Qytetarët e Gjilanit vazhdojnë të shprehen të pakënaqur me punën që është bërë në numërtimin e objekteve banesore private dhe publike si dhe atyre afariste, sepse janë vendosur tabelat e reja pa u hequr ato ekzistuese.
Drejtori i Urbanizmit ka reaguar në komentet e qytetarëve te shkrimi ynë për këtë çështje, duke thënë se numrat e vjetër duhet të hiqen nga pronarët përkatës të hyrjeve.
Sipas tij, operatori i kontraktuar për vendosjen e numrave nuk e ka pasur këtë pozicion të kontraktuar.
Për më tepër ai, ka thënë se me rastin e vendosjes së numrave të rinj, qytetarët janë njoftuar nga operatori se duhet hequr numrat e vjetër.
Izet Kallaba, një qytetar gjilanas, ka komentuar se në mirëvajtje qytetarie, qytetarët nuk duhet të kenë qasje në vendosjen ose heqjen e numrave të adresave.
“Mendoj që në këtë rast, kontraktimi është i gabueshëm”, ka thënë ai.
Sipas Arifit, bartëse e projektit është Agjensia Kadastrale e Kosovës dhe Komuna e Gjilanit ka vetëm rol monitorues, për t`u siguruar që vendosja e numrave ekzekutohet në harmoni me kontratën dhe rregulloret përkatëse.
Ndërkohë, Kallaba thotë se nuk e dinte këtë, por në parim do të duhej qasje tjetër.
Gëzim Shala, një qytetar tjetër i Gjilanit e ka cilësuar këtë si gabim trashanik që ka ndodhur edhe në lagjen e tij.
“Krejt numrat cik-cak, nga 20 kanë kërcye në 28/1. S`di ku i ka ardhur ky numër me vendos, shtëpitë janë të ngjitura njëra me tjetrën. Tmerr”.
Por, sipas Arifit, gjatë vendosjes së numrave merret në konsideratë edhe mundësia e ndërtimeve të reja në parcelat ndërtimore të pa ndërtuara.
“Nëse pretendon se ka ndonjë jo rregullshmëri të bazuar, të lutem prezantoje te menaxherja e projektit, në DUPM, me adresë të saktë dhe foto konkrete!”
Kurse Daut Morina (me gjasë emër fiktiv) ka shkruar: Nuk ka këtu ngatërrime, fakti që ta kanë vendosur numrin e ri mundesh lirisht me heq të vjetrin.
Ndërkaq, Fadil Jakupi është shprehur i habitur si është e mundur një shtëpi me dy numra.
Kurse Selami Vokshi ka komentuar: Po kjo asht punë tenderi i hajnave komunal se numrat janë kanë shumë mirë, po çka mej bae hajnave.
Diku edhe nuk kanë vendosur numër fare.
Arsim Gagica ka thënë: Te unë nuk kanë vendos numër hiq, krejt lagjja kanë numra, vetëm te unë 2 shpija nuk kanë numër.
Atij i është përgjigjur me ironi Bastri Gagica: Hajde mere njo o kush se te unë 2 i kanë vnu.
Krejt kjo punë, gjithsesi e kushtueshme për buxhetin e shtetit, u kthye në tallje shkaku i planifikimit të keq, po edhe realizimit të projektit në terren, po se po.
Dizajni dhe ana teknike e tabelave lë për të dëshiruar, sepse është më i dobët se i mëparshmi.
Ndërkaq, emërtimet e rrugëve (plotësime dhe korrigjime) ka mbi katër vjet që janë miratuar në Kuvend dhe ende nuk janë vendosur tableta në terren dhe as nuk janë përfshirë në sistemin e adresave. /Mediafokus