Hapat që duhet ndjekur për votim me postë nga diaspora
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka njoftuar aplikuesit e regjistruar suksesshëm si votues jashtë Kosovës për periudhën kohore të votimit me postë, mënyrën e votimit dhe dërgimin e fletëvotimit në KQZ.
Më poshtë i gjeni të gjithë hapat që duhet ndjekur për të votuar me postë nga jashtë vendit:
Hapi 1 – shkarko fletëvotimin
Fletëvotimin dhe broshurën me emrat e kandidatëve për secilin subjekt politik mund t’i shkarkoni më poshtë:
Hapi 2 – plotëso fletëvotimin
Në zgjedhjet për Kuvendin e Republikës së Kosovës, ju mund të votoni vetëm për një Subjekt Politik të renditur në anën e majtë të fletëvotimit, ndërsa në anën e djathtë mund të votoni deri në pesë kandidatë nga ai subjekt politik.
Vërejtje: Sigurohuni që shenja të jetë brenda kutisë së subjektit që zgjedhni, në mënyrë që vota juaj të jetë e vlefshme.
Hapi 3 – vendos fletëvotimin në zarfin e pashënuar
Fletëvotimin e plotësuar vendosni në një zarf, i cili nuk duhet të ketë asnjë shënim.
Hapi 4 – vendos zarfin e pashënuar në zarfin që përmbanë adresën e KQZ-së
Vendosni zarfin e pashënuar në një zarf që duhet të përmbajë adresën e KQZ-së. Përveq zarfit të pashënuar, në zarf vendosni edhe një kopje të dokumentit tuaj valid të identifikimit.
Zarfat e pranuara brenda afatit nga votuesit e regjistruar për votim përmes postës fillimisht verifikohen nga KQZ. Pasi të verifikohen, përcjellën në Qendër të Numrimit dhe Rezultateve. Në QNR dërgohen vetëm zarfet e pashënuara, që përmbajën fletëvotimin ose fletëvotimet mbrenda. Në këtë mënyrë, kur hapen zarfat e pashënuara, nuk mund të identifikohen votuesit që kanë dërguar ato fletëvotime, dhe kështu mbrohet fshehtësia e votës së personave që votojnë përmes postës.
Hapi 5 – dërgoni zarfin me postë brenda afatit
Postë:
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve
Votimi Përmes Postës
Posta 6, kutia postare 351
10000 Prishtinë
Republika e Kosovës
Fletëvotimi duhet të pranohet nga KQZ-ja më së largu deri më 12 shkurt 2021./Mediafokus.info/