Haradinaj – Kurtit: Nuk është marre me thënë ‘më falni, paskam hyrë në zanat të huaj’
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, i ka thënë kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, që do të ishte fisnike në rast se ai do të jepte dorëheqje.
“Po ju drejtohem juve Albin Kurti, kryeministrit të vendit tim. Nuk është marre me thanë, më falni paskam hyrë në zanat të huaj. Nuk je as i pari as i fundit, që e humb rrugën diku. Është nder e njerëzi me ditë kur me u tërheq. Parametrat e qeverisjes suaj sot janë, jo vetëm të dëmshëm por edhe të rrezikshëm për vendin: Në rrafshin politik, e keni ndarë shoqërinë si me thikë”, ka shkruar Haradinaj në Facebook. “Në rafshin fetar po nxitni tema që po e rrezikojnë jo vetëm tolerancën fetare që ndër shqiptarë ka qenë vlerë sublime, por edhe identitetin kulturor e kombëtar”.
Haradinaj ka thënë se Qeverisja Kurti e ka “qitë në gjunjë ekonomimë e vendit”.
“Bizneset i keni mbështetur për muri e po i çoni drejt falimentimit; Qasja juaj ndaj komunave është armiqësore; Shtresën e mesme të shoqërisë, po e shndërroni në kategori sociale; Mijëra mësues, mjekë, policë, shërbyes civilë, punëtorë të sektorit publik e privat, por edhe të tjerë, sot kanë problem me mbijetu me pagat që ju i keni lënë ne vendnumëro, duke e bllokuar ligjin e pagave, që kish marrë udhë qysh në qeverisjen time, e kur inflacioni ishte zero”, ka shkruar Haradinaj.
Haradinaj ka thënë se Ministria e Ekonomisë ka shpenzuar zero euro për kapacitete gjeneruese energjetike, e në verë janë paralajmëruar reduktime deri në 6 orë në ditë.
E po ashtu ka thënë se Kurti po do “me bë llugë” edhe në procesin e dialogut me Serbinë.
“Me këtë politikë, Kosovën doni me e ngri në dimër. Po flitet se doni me e ba llugë edhe në procesin e dialogut me Serbinë. Në vend që të insistohet vetëm në marrëveshjen finale për njohje të ndërsjellë, ju sikur doni me nënshkruar një dokument për mos-sulmim të ndërsjellë. Ky dokument është nënshkruar në qershor të vitit 1999, dhe Kosova nuk kthehet atje më. Prandaj po ju drejtohem që ta rishikoni pozicionin tuaj. Është fisnike me ditë kur me u tërheq. Me qeverisjen tuaj, jeni duke e rrezikuar seriozisht këtë vend! Ka diçka më të vlefshme se sa karriga e kryeministrit”, ka shkruar Haradinaj.


 
 
						 
						