Haradinaj: Po e ndjek me shqetësim spektaklin dashakeq të Dosjeve

Lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka shkruar për rastin e dosjeve të Gjykatës Speciale, transmeton Mediafokus.info.

Përmes një postimi në profilin e tij në Facebook, ish-kryeministri ka thënë se padrejtësisht po krijohet përshtypja se Kosova është rreshtuar në anën e kundërt të drejtësisë.

Postimi i plotë i tij:

Me shumë shqetësim po ndjek spektaklin dashakeq të Dosjeve – që po e krijon padrejtësisht përshtypjen se Kosova është rreshtuar në anën e kundërt të drejtësisë!Zhvillimet e fundit rreth kësaj teme, që po ushqejnë debatin mediatik, nuk i ndihmojnë Kosovës, të vërtetës së saj, dhe drejtësisë vendore e ndërkombëtare.

Kushdo që hasë në dokumente sensitive të hetuesisë e gjykatave, duhet menjehëherë t’ia dorëzojë institucioneve përgjegjëse, e jo të ushqejë vazhdimin e spektakleve mediatike që dëmtojnë zhvillimin e drejtësisë dhe zbatimin e ligjit për të gjithë.Kosova si viktimë përballë agresorit,

UÇK-ja, dhe populli i Kosovës janë angazhuar gjithmonë për t’u pozicionuar në anën e drejtësisë, të vërtetës, dhe të drejtës ndërkombëtare. Kështu do të mbetet gjithmonë!