Haxhiu: Shumë shpejt do të ketë zgjedhje të jashtëzakonshme

Ish-ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se shumë shpejt në Kosovë do të ketë zgjedhje të jashtëzakonshme.

Ajo shton se ka probleme në koalicion, derisa, sipas saj, ka humbur besimi edhe në Kuvend, pasi të njëjtit nuk i kanë 61 vota.

Haxhiu thotë se tani nuk mund të kalohet asnjë ligj pa mbështetjen e opozitës.

“Duke marrë parasysh problemet që kanë mes vete dhe brishtësinë e kësaj qeverie, unë jam shumë e bindur se vendi shumë shpejt do të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme. Duket hapur që ka probleme ndërmjet koalicionit, pazaret apo kërkesat e tyre janë shumë të mëdha në raport me kryerjen e favoreve që kanë subjektet politike. Ju po e shihni se si ka akuza të ndërsjella të AAK-së dhe Nismës në drejtim të kryeministrit Hoti. Gjithashtu ka humbur edhe besimi në Kuvendin e Kosovës, nuk i ka 61 vota kjo Qeveri. Tani në Kuvend nuk mund ta kalojë asnjë dokument përpara pa mbështetjen e subjekteve opozitare”, ka thënë ajo per KTV.