Haziri i gëzohet unitetit politik të Kosovës Lindore

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, është shprehur i lumtur pasi liderët politikë të Kosovës Lindore u bënë bashkë për të garuar në një listë në zgjedhje.

“U gëzova që janë bashkuar faktori politik në Kosovën Lindore. Le ta bashkojnë popullin për një përfaqësim politik e kombëtar sa më të mirë!”, ka shkruar Haziri, në profilin e tij në Facebook, transmeton Mediafokus.info.

Gjatë ditës, në Tiranë, në prezencën e ministrit Gent Cakaj, përfaqësuesit politikë të Kosovës Lindore nga Partia për Veprim Demokratik, Alternativa për Ndryshim, Partia Demokratike, Lëvizja Reforma në PDSH dhe Lëvizja e Progresit Demokratik, nënshkruan “Marrëveshjen për krijimin e listës së përbashkët zgjedhore të subjekteve politike shqiptare për zgjedhjet parlamentare në Republikën e Serbisë”.

Nëpërmjet marrëveshjes së nënshkruar, për herë të parë, do të veprojnë me një program, sa herë do të jenë në pyetje parimet kombëtare dhe çështja e Luginës së Preshevës./MediaFokus/