Haziri i shqetësuar: Situata me COVID-19 në Gjilan është alarmante

Kreu i Gjilanit, Lutfi Haziri, është shprehur i shqetësuar me situatën e ditëve të fundit në këtë komunë me COVID-19, raporton Mediafokus.info.

Nëpërmjet një postimi në Facebook, Haziri ka thënë se situata është alarmante, duke kërkuar nga qytetarët që t’i respektojnë masat anti-COVID-19

“Virusi #COVID19 edhe pas një viti është në mesin tonë. Situata në ditët e fundit është alarmante. Ju lutem, kujdes me maska, distancë e higjienë personale, në emër të 116 bashkëqytetarëve që e kanë humbur jetën”, ka shkruar Haziri, transmeton Mediafokus.info.

Pasqyra e përgjithshme në Gjilan që prej fillimit të pandemisë është si vijon: nga 16256 mostra, 4486 kanë rezultuar pozitivë, 3894 janë shëruar, 116 qytetarë e kanë humbur betejën me virusin, 476 raste janë aktive, të hospitalizuar me COVID janë 94 persona dhe 485 mostra në pritje për rezultat./Mediafokus.info/