Haziri: Ka ardh koha e normalizimit të pandemisë

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri thotë se ka ardhur koha që Kosova të hyjë në fazën e normalizimit të pandemisë me COVID-19.

Haziri ka kërkuar edhe që paralelisht me vaksinimin të fillojë edhe lehtësimi i masave antiCOVID-19.

Megjithatë, Haziri në konferencën për media ka thënë se Qeveria Kurti 2 nuk e ka guximin që të veprojë në këtë drejtim dhe se kjo qeveri nuk ka një plan mbi menaxhimin e pandemisë COVID-19.

“Kërkoj zbatimin e rekomandimeve të IKSHPK-së, në anën tjetër qeveria e ka për obligim me rishiku. Ka ardhë koha me hy në fazën e normalizimit. Faza e normalizimit nuk është akt, por proces. Normalizimi nga pandemia është një proces, i cili paralelisht me vaksinimin duhet të fillojë edhe lehtësimi. Hapja e restoraneve, lejimi i ahengjeve dhe dasmave me kufizime dhe mbikqyrje, rikthimi i teatrove, rikthimi i shikuesve në stadium me një numër të caktuar, por në një numër shumë më të madh dhe besoj që do të jetë hapi i parë drejt normalizimit. Por kjo qeveri nuk e ka guximin me vepru në këtë drejtim, sepse edhe më tutje po shihet që nuk ka plan mbi menaxhimin e drejtpërdrejtë të pandemisë dhe realizimit të masave dhe kërkesave që kërkohen nga institucionet për ruajtjen e shëndetit publik”, tha Haziri.

Megjithëse, kreu i Gjilanit, vlerëson se Qeveria Kurti 1 ishte më efikase, më e zhurmshme dhe më koordinuese në menaxhimin e pandemisë COVID-19. Me ç’rast tha se kjo qeveri më shumë po merret me probleme të brendshme dhe me zhurmë politike e me akuza të ndërsjellta. Haziri thotë se ka bashkëpunim me institucionet e Qeverisë Kurti por kërkon që të ketë më shumë azhurnitet për programet financiare dhe koordinim më të mirë të ministrave.