Haziri: Kosova u penalizua në Samitin e NATO-s, shkak mungesa e stabilitetit institucional
Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lutfi Haziri, ka reaguar pas Samitit të NATO-s në Ankara, duke vlerësuar se Kosova është penalizuar me mosmarrjen e ftesës për të marrë pjesë.
Sipas Hazirit, mungesa e ftesës është pasojë e krizës së brendshme politike dhe mungesës së stabilitetit institucional.
“Kosova u penalizua në Samitin e NATO-s në Ankara. Pa dyshim, mosardhja e ftesës ndodhi si pasojë e mungesës së stabilitetit institutucional”, ka shkruar Haziri.
Ai ka shtuar se zhvillimet ndërkombëtare po ecin me ritëm të shpejtë, ndërsa Kosova vazhdon të përballet me kriza të brendshme.
Haziri u bëri thirrje akterëve politikë për reflektim dhe bashkëpunim, duke theksuar se vetëm përmes proceseve politike mund të arrihet normalizimi dhe stabiliteti institucional.
“Është koha e fundit për reflektim të thellë. Veç bashkëpunimi për procese politike e normalizon dhe e stabilizon Republikën. Republika mbi të gjithë!”, përfundoi Haziri.

